Ushqyerja

Fëmija mund të ndryshojë sjellje në mënyrën e të ushqyerit, çdo 6 muaj

Si viti i dytë i jetës, ashtu dhe i treti, shpesh quhen nga prindërit edhe vitet e tmerrshme-nazet dhe kundërshtimet janë të përditshme, si për ushqimin ashtu edhe për situate të tjera. Në fakt në këtë mënyrë fëmija arrin të formojë personalitetin e tij, pra duhet të keni durim.

Mendoni se si ndihet një fëmijë në këtë moshë që ecën, vrapon vetë, në krahasim me kohën kur varej nga prindërit. Ai po shijon “fitoret” e tij dhe kjo i shton besimin në vetvete duke thënë: “tani eci vetë, shkoj ku të dua unë”. Po kështu ai kënaqet duke thënë “tani ha sa dua vetë dhe ha atë që dua”. Prandaj në këtë kohë duhet të përpiqemi ta mësojmë të ushqehet i lirë, pa e detyruar të hajë gjithmonë atë që i japim ne.

Shumë prindër janë të shqetësuar rreth ushqyerjes së fëmijës së tyre në këtë moshë. Fëmijët bëhen nazeli, duan vetëm disa ushqime, nxjerrin ushqimin etj. Duhet të kuptoni se kjo është normale dhe “do të kalojë”. Sigurisht nuk ka dy fëmijë njësoj dhe ka dallime midis fëmijëve, edhe në të njëjtën familje. Fëmija mund të ndryshojë sjellje në mënyrën e të ushqyerit, çdo 6 muaj. Po kështu, modelet e rritjes ndryshojnë shumë. Një fëmijë mund të rritet emocionalisht dhe fizikisht më shpejt se një tjetër.

Prandaj kini parasysh se këshillat që do të gjeni më poshtë për ushqyerjen, mund të mos t’i përshtaten plotësisht fëmijës suaj.

• Në këtë periudhë është përmirësuar shumë kontrolli i muskujve; fëmijët mund të përdorin me lehtësi një lugë dhe pirun; kontrollojnë mirë filxhanin, apo gotën, megjithëse ndonjëherë e derdhin.

• Shpesh kërkojnë dhe pëlqejnë të ëmblat.

• Në përgjithësi pëlqejnë perimet e gjalla, por mund të mos pranojnë të hanë sallatat.

• Perimet me ngjyrë jeshile i pëlqejnë më shumë të gatuara.

• Mund të bëjnë zgjedhje të thjeshta të llojeve të ushqimeve, për shembull “do një pjeshkë apo një dardhë?” Kanë pak oreks; kjo luhatet midis periudhave të rritjes; dreka është shpesh vakti i preferuar.

• Oreksi ndoshta është pak më i mirë se disa muaj më parë, por ende nuk është ajo që shumë prindër (ose gjyshet) mendojnë se duhet të jetë. Shprehja “Fëmija im nuk ha fare” është një ankesë e zakonshme kur fëmija shkon për vizitë kontrolli tek mjeku.

• Mund të kenë nevojë që midis vakteve të hanë diçka.

• Ndonjëherë i përshkruajnë si nazeli; shpesh ka gjëra që i pëlqejnë shumë apo nuk I pëlqejnë aspak (të cilat duhen respektuar); mund të pëlqejnë vetëm disa ushqime si reçeli, sanduiçet, makarona, djathi.

• I pëlqejnë ushqime të thjeshta që i “njeh”; nuk i pëlqejnë përzierjet; dëshiron ushqimet që i shërbehen në një mënyrë të njohur për të.

• Gjatë kohës që ushqehet, fëmija ndonjëherë kërkon më shumë vëmendjen e prindërve dhe ende në mjaft raste sorrollatet e luan me ushqimin!

• Kujdes! Mënjanoni arrat, karamelet e forta, kokrrat e rrushit, perimet e forta të gjalla. Kontrolloni ëmbëlsirat dhe mënjanoni ushqimet që nuk kanë asnjë vlerë ushqyese.

Çfarë është ushqyerja e shëndetshme për një fëmijë të rritur

Organizmi i fëmijës ka nevojë të marrë nëpërmjet ushqimeve të gjitha lëndët ushqyese që e lejojnë të rritet, të lëvizë, dhe jetojë. Lëndët ushqyese të nevojshme për çdo njeri, janë të ndara në 5 grupe të mëdha sipas përmbajtjes së lëndëve që ato kanë: 1-proteinat, 2-karbohidratet (sheqernat), 3- yndyrnat, 4-vitaminat, 5-kripërat minerale si hekuri, zinku, kalciumi, jodi etj.

Këtyre lëndëve u duhet shtuar edhe uji, i cili ka rëndësi shumë të madhe për njeriun, sepse është vendi në trup ku ndodhin të gjitha reaksionet kimike. Uji ka rëndësi më të madhe tek fëmija i vogël se tek i rrituri, duke qenë se ai përbën rreth 80% të peshës tek i porsalinduri, ndërsa tek i rrituri zë afërsisht 50 % të peshës.

Organizmi i fëmijës ka nevoja jetike për energji dhe materialet e rritjes të cilat merren nga proteinat, yndyrnat dhe sheqernat. Kripërat dhe vitaminat, edhe pse nuk japin energji, janë mjaft të rëndësishme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Ato sigurojnë që të kryhen si duhet të gjitha reaksionet kimike që ndodhin në organizëm.

Por një ushqyerje e mirë nuk ndikon vetëm në rritjen dhe zhvillimin e fëmijës. Ne e dimë tashmë se nëpërmjet ushqyerjes mund të parandalohen disa sëmundje të aparatit tretës (për shembull sëmundje të lidhura me gjendjet alergjike), por më e rëndësishmja është se një ushqyerje e mirë siguronqë organizmi i fëmijës kur të rritet të ketë shëndet të mirë, duke parandaluar në të ardhmen shfaqjen e disa sëmundjeve të rrezikshme si tensioni i lartë, dhjamosja, diabeti, skleroza e arterieve të zemrës dhe të trurit. Me ushqyerje të shëndetshme për fëmijën, kuptojmë ato ushqime të cilat i japin atij të gjitha lëndët ushqimore të përmendura më lart.

Ushqimet, mbi bazën e lëndëve ushqimore që përmbajnë, ndahen në pesë grupe kryesore:

• Drithrat, buka, miellrat, makaronat etj., të pasura në karbohidrate

• Qumështi dhe prodhimet e tij (të pasura në proteina, në disa minerale si kalciumi, si dhe në vitamina)

• Mishi, prodhimet e detit, vezët, bizelet, fasulet dhe thjerrëzat, të cilat quhen bishtajore (përmbajnë proteina)

• Frutat dhe perimet (të pasura në vitamina dhe kripëra minerale)

• Vaji, gjalpi, që përmbajnë yndyrnat, të cilat japin pjesën më të madhe të energjisë së nevojshme për fëmijën.

Marrja e proteinave duhet të pakësohet lehtësisht gjatë vitit të dytë dhe të tretë të jetës, në krahasim me periudhën midis vitit të parë dhe të dytë. Gjithashtu duhet pakësuar marrja e proteinave me origjinë shtazore dhe duhet shtuar ajo e proteinave me origjinë bimore, duke shtuar për shembull sasinë e bishtajave (fasule, thjer rëza, bizele, mashurka) dhe pakësuar sasinë e mishit, djathit etj.

Sasia e yndyrnave duhet gjithashtu të pakësohet nga 40% të kalorive totale në 30%, si tek të rriturit. Përsa i përket burimit të yndyrnave, është mirë të përdoren më shumë yndyrnat me origjinë bimore se sa gjalpi (yndyrë me origjinë shtazore), pra vajrat si ai I ullirit, misrit, lulediellit etj.

Për karbohidratet preferohet orizi, makaronat në supë dhe më vonë makaronat të gatuara si për të rriturit. Sheqernat e thjeshta duhen përdorur në doza të pakta dhe pjesën më të madhe të tyre duhet ta përbëjnë sheqernat që gjenden tek frutat.

 

Nxitja e zakoneve të shëndetshme për ushqyerjen

Momenti i ngrënies kupton gjëra të ndryshme për mosha të ndryshme fëmijësh, si për foshnjën, motakun dhe parashkollorët. Megjithatë, me rritjen e fëmijës kërkesat për lëndë ushqimore bëhen më të afërta me ato të rriturve. Ndërsa fëmijët janë të vegjël, duhet të mësohen të zhvillojnë zakone të mira të të ngrënit, të cilat do të zgjatin gjatë gjithë jetës së tyre.

Për këtë duhet pasur parasysh:

• Të jepet shumëllojshmëri ushqimesh

• Të plotësohen të gjitha nevojat për drithëra, perime dhe fruta.

• Mbas moshës dy-tre vjeç fëmija nuk ka nevojë për yndyrna të tepërta. Tani është koha për të filluar zëvendësimin e qumështit të paskremuar me qumësht me pak yndyrë 2-3% apo produkte të qumështit pa yndyrë. Lëngjet e frutave me sheqer duhet të jepen të kufizuara.

• Ka rëndësi të nxiten fëmijët të marrin rregullisht qumështin dhe prodhimet e tij si kosi, djathi etj.

• Të zgjidhen prodhime me yndyrë të pakët, apo ushqime të përgatitura me pak yndyrë.

• Të arrihet dhe të mbahet një peshë e shëndetshme trupore, përmes lëvizjeve fizike dhe ushqyerjes së shëndetshme.

• Të kufizohen kripa, sheqeri.

Por si mund të arrihet kjo?

• Jepini fëmijës tuaj ushqime të pasura me të gjitha llojet e lëndëve ushqyese.

• Kontrolloni ëmbëlsirat dhe mënjanoni ushqimet që nuk kanë asnjë vlerë ushqyese.

• Merrni informacion tek mjeku lidhur me ushqyerjen, sipas moshës së fëmijës tuaj

• Fëmijën mund ta merrni me vete ndërsa bëni pazarin, kjo mund t’i shtojë interesin për ushqimin.

• Filloni ushqimet e reja “për të rritur”, së bashku me ato që fëmija ende pëlqen.

• Shërbejini ushqimet e reja së bashku me ato të familjes.

• Nxiteni fëmijën të shijojë një ushqim të ri, por mos e detyroni ta hajë me zor. Nëse nuk do, pranojeni këtë, lëreni dhe përpiquni përsëri pas disa javësh.

• Fëmijët duhet të vendosin për sasinë që duhet të hanë. Nëse e nxisim fëmijën të hajë “edhe një kafshatë tjetër” mund të nxisim ngrënien e tepërt dhe humbjen e aftësisë për të rregulluar vetë marrjen e ushqimit. Kjo do të ndikonte në dhjamosjen e fëmijëve në të ardhmen.

Roli i prindit është të vendosë se çfarë ushqimesh do të hajë fëmija gjatë vakteve të rregullta të ngrënies. Fëmijët nuk duhet të detyrohen të “përpiqen ta hanë” ushqimin, nëse ata janë të mërzitur.

Edhe ushqimet e dhëna në vaktet zemër duhet të jenë të shëndetshme dhe jo t’i japim fëmijës disa ushqime me vlerë të pakët ushqyese sa për t’i shuar urinë, si çokollata, torta me krem etj.

• Lërini fëmijët t’i prekin ushqimet. Sa më shumë ato dine rreth ushqimit si për shembull ku rritet, si përgatitet, aq më shumë do ta pëlqejnë atë.

• Fëmijëve duhet t’u jepen në një vakt disa mundësi për të zgjedhur, por jo të zgjedhin pa kufi.

Për shembull, pyesni fëmijën “Nesër për drekë do karrota apo lulelakra?” dhe jo “Çfarë do të të gatuajë mami nesër për drekë?”.

• Bëhuni ju vetë shembull për fëmijën tuaj, duke ngrënë ushqime të shëndetshme. Në qoftë se, për shembull, ju vetë hani patate të skuqura dhe fëmijës ia jepni të ziera, ai nuk do t’i hajë ato.

• Uluni për të ngrënë drekën ose darkën si një familje së bashku, sa herë që keni mundësi.

• Në këtë kohë fëmija duhet të mësohet të përdorë pjatën (jo shumë të madhe), si dhe filxhanët dhe gotat për fëmijë, që e ndihmojnë të ushqehet vetë.

• Filloni t’i mësoni rregullat e sjelljes në tavolinë dhe nxisni bisedën gjatë vakteve të ushqyerjes së familjes.

• Gjatë kohës së ngrënies mbylleni televizorin

• Sigurohuni që në rast se fëmija juaj është nën kujdestarinë e ndonjë personi tjetër (në çerdhe, në shtëpi, me gjyshet, kujdestaret etj.), edhe ai të ndjekë rregullat e ushqyerjes së shëndetshme të fëmijës tuaj.

Kujdes!

Mbytja është një problem serioz që mund të ndodhë në këtë periudhë kohe, sepse fëmijët në këtë moshë kanë mësuar të kapin dhe të gëlltisin mjaft lloje ushqimesh. Ushqimet që ngjisin, janë të forta, të vogla, të rrumbullakta dhe të buta, kokoshkat, arrat, karamelet e vogla, çamçakizi, kokrrat e rrushit, manaferrat, karrotat në copa të gjalla, bizelet etj, duhet të mënjanohen. Mishi gjithashtu mund të përbëjë një rrezik për mbytje, prandaj duhet ndarë mirë, në copa shumë të vogla dhe duhet zier mirë. Fëmijët në këtë moshë janë në në rrezik më të madh për pamjaftueshmëri jodike, e cila ndikon në inteligjencën, mbarëvajtjen e e tyre në të ardhmen në shkollë etj.

Përdorni në tavolinë kripën e jodizuar, sepse jodi parandalon çrregullimet në rritje dhe zhvillim të fëmijës që mund të vijnë nga marrja e pamjaftueshme e tij. Po kështu fëmijët në këtë moshë rrezikohen nga anemia nga mungesa e hekurit. Sigurohuni që marrja ditore e qumështit të lopës nuk është e tepruar (sepse qumështi i lopës përmban një lëndë që pengon thithjen e hekurit nga organizmi i fëmijës, pra thellon aneminë). Fëmija juaj duhet ushqehet me mish, fruta, pulë, peshk etj. Sigurohuni që dieta e fëmijës tuaj të jetë e pasur në vitaminë C, që gjendet në frutat dhe perimet, e cila shton thithjen e hekurit nga zorrët.

Gjithashtu ka rëndësi që të mbani mend!

• Kurrë mos e përdorni ushqimin si një mjet për ta lavdëruar apo dënuar fëmijën!

• Gjatë kohës së ushqyerjeve i kushtoni shumë përkëdheli, përqafime dhe vëmendje!

• Kur përgatisni ushqimet, gjithnjë lani duart, frutat, perimet dhe enët, lugët apo pirunjtë që do të përdorni!

• Ushqimet ruhen në enë të pastra, të mbuluara, në vende të freskëta dhe në frigorifer!

• Asnjëherë mos hidhni përsëri një ushqim që e keni përdorur tek ena që ka ushqimin e freskët, ose ushqimet që i keni nxjerrë nga frigoriferi dhe i keni ngrohur asnjëherë mos i fusni përsëri në frigorifer.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë