Kafshët shtëpiake gjatë shtatzanisë tuaj

kafshet_shtepiake

A mund ta ndjejnë shtatzaninë tuaj, kafshët shtëpiake?

Po. Edhe pse nuk egzistojnë të dhëna se si kafshët shtëpiake mund ta ndjejnë shtatzaninë e pronarëve të tyre, por është shumë e mundshme që ata e ndjejnë ndryshimin e sjelljes, disponimit dhe gjendjes së tyre. Qentë dhe macet janë mjeshtër në interpretimet e gjuhës së trupit prandaj do ta kenë të lehtë të dallojnë që lëvizjet tuaja janë bërë më të rënda, kaba dhe pa qejf.

Ata mund ta kuptojnë që “diçka po ndodh” nëse iu ndërrohet rutina ditore, nëse nuk shkojnë në shëtitje disa herë në ditë se si janë mësuar, nëse kapërcehen vrapimet e juaja të përbashkëta të zakonshme, nëse shumë shpesh iu shohin të shtrirë në divan dhe nëse anëtarët e tjerë të familjes ju trajtojnë më ndryshe se zakonisht.

Edhe nëse jeni shtatzënë dhe keni ekstra brenga, mos harroni kafshët tuaj shtëpiake – edhe atyre sikurse dhe juve do ju pëlqejë përkedhelja (është vërtetuar shkencërisht që përkëdhelja e qenit apo maces zvogëlon stresin).

Jam shtatzënë që disa muaj dhe më intereson se a duhet të shpërngulet qeni im kur të lind bebi?

Natyrisht që jo. Qeni juaj është pjesëtar i familjes dhe ashtu edhe konsiderojeni. Së shpejti familja juaj do të rritet edhe me një anëtar për të cilin sigurisht edhe ai i gëzohet sikurse dhe ju (qentë i ndjejne vibrimet pozitive të pronarëve të tyre). Rezoni më i shëndetshëm është që anëtarin e ri të familjes ta mësoni me shtëpinë, me zakonet, me aromat dhe me tingujt.

Nëna, foshnjes ende duke qenë në mitër i ka bartur përvojat e saj: foshnja e ka ditur se çfarë ha nëna, çfarë muzike ndëgjon, kur zgjohet, çfarë zërash e shqetësojnë dhe cilat e qetësojnë. Nëse ka qenë qeni ai i cili atë e ka qetësuar gjatë përkëdheljeve, foshnja nuk do të ‘çuditet’ kur ta ketë njoftuar. Natyrisht, principeve të veçanta duhet ti përmbaheni kur është në pyetje higjiena.

Në çfarë të kem kujdes nëse kam kafshë shtëpiake dhe foshnjen e posalindur?

- Në asnjë mënyrë mos lejoni që kafsha shtëpiake ta lepijë foshnjen nëpër fytyrë! Këtë nuk duhet ta sqarojmë por do t`ju rikujtojmë që kudo që ta keni shëtitur kafshën, ai/ajo ka nuhatur, ka lepirë apo ka mbajtur gjëra në gojë gjatë kohës së shëtitjes. Është e qartë që rreziku nga bartja e infeksioneve në këtë mënyrë tek i posalinduri është i mundshëm dhe sistemi imunitar i të posalindurit nuk është i gatshëm ti përballojë këto sfida.

- Pastroni duart patjetër pas secilit kontakt me kafshën shtëpiake dhe para se ta mbani në duar foshnjen tuaj. Para se të filloni gjidhënjen gjithsesi pastroni përsëri duart.

- Nëse kafsha shtëpiake ka lozur me ndonjërën nga lodrat e foshnjes, pastroni lodrat me ujë të nxehtë.

- Kafshët shtëpiake mos i mbani në qarqafët e krevatit tuaj, sidomos nëse aty fle shtatzëna apo fëmijët e vegjël.

- Sa më shpesh pastroni batanijen e kafshës tuaj shtëpiake. Më së miri është ta pastroni me ujë të nxehtë sepse detergjentët nuk janë të mirë për kafshët, ndërsa përdorimi i tepruar i tyre nuk është i preferuar as për shtatzënat apo të posalindurit. Uji i nxehtë dhe pastrimi i mirë do ta largojnë papastërtinë.

- Mos harroni ti pastroni kafshët kohë pas kohe.

- Pelenat e papastra mbajini larg nga qeni sepse mund ti duken interesante – mund ti hulumtojnë apo edhe ti hanë. (Kjo është gjë normale tek qentë e rritur dhe ka për qëllim mbajtjen e pastërtisë në zonën e tij).

Jam shtatzënë disa muajshe dhe dëshiroj të adaptoj një mace, a është kjo në rregull?

Shtatzania nuk është kohë e duhur për të adoptuar mace sepse në këtë mënyrë e shtoni rrezikun nga infektimi me toksoplazmë. Kjo bakterie bartet përmes jashtëqitjes së maces. Macja e cila nuk e ka mësuar se ku duhet bërë nevoja, mund ta infektojë shumë lehtë gruan shtatzënë.

Shtatzëna e infektuar ndoshta nuk do ta dallojë që është e sëmurë apo do të vërejë simptome gripi, por tek fetusi mund të zhvillojë pasoja serioze mvarësisht se në cilin tremujor është infektuar. Atëherë shtatzania mund të përfundojë me abort apo me ndonjë sëmundje të rëndë të fetusit (foshnja mund të ketë ujë në bark, në mushkëri, në skeletin e gjoksit apo në përgjithësi në trup, sëmundje të syve etj). Për këtë më së miri adoptimi i maces mund të shtyhet për një kohë, derisa të rritet foshnja juaj dhe atëherë ti gjeni një shok ideal për të lozur.

Jetoj me macen në banesën time që disa vite, a egziston rreziku që të infektohem me toksoplazmë?

Nëse keni mace, do të ishte shumë mirë që para shtatzanisë të kontrolloheni në mos keni antitrupa të zhvilluar kundër toksplazmës. Nëse nuk keni, macen jepeni në adoptim të përkohshëm sepse nuk ka shaka me toksoplazmën.

Si ta parapregatis qenin tim për ardhjen e bebes?

Qeni juaj sigurisht do të ndjehet i ngazëllyer për arritjen e anëtarit të ri por nuk do të ishte keq që edhe atë ta njoftoni me të posalindurin.

1. Jepni qenit ndonjë objekt të foshnjes që të nuhasë (kapelë, bluzë, puthadorë apo ndonjë tetra pelenë) kur të jetë i disponuar dhe pa nervozë.

2. Përderisa nuhat objektin e foshnjes, komplimentojeni me fjalë të këndshme që të zhvillojë ndjenja pozitive të lidhura me foshnjen.

3. Për herë të parë le ta mbanë ndonjë person i rritur foshnjen dhe një tjetër qenin e lidhur. Nëse ai sillet mirë lejojeni ta nuhasë foshnjen. (Nëse ndjeni ndonjë agresivitet tek qeni apo nëse foshnja fillon të qajë – ndërrpreni njoftimin për ca ditë).

4. Qenin duhet mbajtur nën kontrollë por pa kurfarë presioni.

5. Më vonë kur të jenë liruar paksa qeni dhe foshnja, ndërmjetësuesi nuk iu duhet më por asnjëherë mos e leni vetëm me foshnjen.

6. Sa herë që e afroni foshnjen tek qeni, thuani me ëmbëlsi emrin e tij, dhe tregojini foshnjes dhe interpretoni sjelljen e tij.

7. Nëse foshnja qan për shkak të lehjes, merreni në krahë dhe përkëdheleni, duke i treguar që kjo është një gjë shumë normale dhe kjo është mënyra ‘se si qeni flet’.

A do ta gjelozoj qeni, foshnjen e posalindur?

Kafsha shtëpiake para arritjes së të posalindurit në familje, e ka patur tërë vëmendjen e anëtarëve të shtëpisë, gjë që do ndërrohet sigurisht. Zakonisht kafshët shtëpiake janë mirë të edukuara dhe e dinë vendin e tyre në familje, prandaj mos u brengosni shumë. A do të ndjehet kafsha e lënë pas dore, pas arritjes së foshnjes në jetë, e cila do të jetë qendra e re e vëmendjes, kjo mvaret nga sjellja juaj ndaj kafshës dhe ndaj foshnjes. Nëse zakonet familjare të cilat i ka ndarë edhe kafsha, nuk ndërrohen në mënyrë radikale dhe në mënyrë të papërshtatshme – atëherë nuk ka arsye për tu brengosur.

Mund të ndodh që qeni apo macja të urinojnë krevatin, karrocën apo vendin ku foshnja rri. Këtë veprim nuk duhet interpretuar si gjest gjelozie apo pafytyrësi. Në këtë mënyrë kafsha shfaq frikën ndaj foshnjes duke e mbuluar me aromën e tij. Për këtë mos e injoroni kafshën, por i pamundësoni qasjen tek krevati foshnjes, tek rrobet apo mbulesat. Dhe e përsërisim – mos lejoni që kafsha juaj shtëpiake të ndihet e lënë pas dore, shkaku i anëtarit të ri të familjes.

Kam ndëgjuar që kanarina dhe shpezët si zogjtë mund ta infektojnë gruan shtatzënë me disa viruse, sa është kjo e vërtetë?

Pastroni çdo ditë kafazin në të cilin e mbani zogun si dhe vendet ku ata kryejnë nevojat e tyre fiziologjike. Në këtë mënyrë jo vetëm që parandaloni paraqitjen dhe përhapjen e infeksioneve por edhe tregoni dashurinë, kujdesin dhe shqetësimin për ta.