Gjergj Kastrioti Skenderbeu

kastrioti

Lirinë nuk jua solla unë,
por e gjeta këtu në mes tuaj,
armët nuk jua ngjesha unë,
por ju gjeta të armatosur,
lirinë e kishit kudo,
në kraharor, në ballë,
në shpatë, e në ushtat!

Nga fjala e Gjergj Kastriotit, çlirimi i Krujës, 28 Nëntor 1443.
Sipas Marin Barletit,

“Kapedanë dhe ushtarë trima”.

S‘është as e re, as e papritun pamja që kam sot përpara syve. Ashtu si ju kujtonja, ashtu ju gjeta, stërnipër të thjeshtë të një race të vjetër dhe bujare, trima dhe besnikë të patronditur të vendit dhe të mbretit tuaj. Edhe jam i lumtur tani që mund t‘ju hap zemrën time. Ju thom pa u mburrur që, sa kam rrojtur, kam patur gjithnjë këtë mall për atdhenë dhe këtë dëshirë për lirinë.


Kur më ftuat për këtë vepër nga shërbimi i Sulltanit, kisha në zemër atë dëshirë që kishit edhe Ju. Juve ndofta ju shkoi nga mëndja që e kisha harruar vëndin, edhe nderin, edhe lirinë, kur ju ktheva prapa të helmuar, pa ju dhënë asnjë shpresë dhe pa ju treguar asnjë ndjenjë bujare dhe shpirtmadhe. Po unë sillesha me atë mënyrë, se ashtu e deshte shpëtimi i juaj dhe i imi, se puna ish e tillë se duhej bërë dhe jo thënë, se e shikonja që kishit më tepër nevojë për frë sesa për shtyrje. Jua fsheha planet e mia dhe s‘jua çfaqa dëshirën që kisha në zemër aq vjet, jo se s‘u kisha besim, jo se s‘jua dinja shpirtin, po se ju ishit të parët që e hothtë zjarrin dhe u futët në këtë valle; po se puna duhej mejtuar thellë, se duheshin gjetur mjetet, se duhej zgjedhur koha e mirë. Ndryshe do të derdhej gjak më kotë dhe përfundimi do t‘ish nji robëri me e keqe se e para. Dhe ahere çdo shpresë për të nesërmen fluturonte; se nji punë si kjo niset njiherë e mirë; dhe në mos vaftë mbarë, rasja dhe mjetet për ta nisur ikin e s‘kthehen kurrë prapë. Prandaj s‘ja tregonja planin tim as vetes sime dhe ruhesha mos me shkiste gjuha dhe më dëgjonin muret. Kam për dëshmor Hamzën, tim nip, që e kam pasur këshilltar, përkrahës dhe shok armësh, me ca të tjerë të pakë, me besnikërin e të cilve e vumë këtë plan në vepërim. Tani, ndonëse rronim e hanim bashkë dhe kishim një zemër dhe një shpirt, me gjithë këtë asnjë nga këta s‘më kish dëgjuar kurrë të zë n‘gojë atdhenë, lirinë dhe krishtërimin, gjersa ardhi rasa në betejë të Nishit.

Lirinë mund ta kishit fituar me trimërinë tuaj, se Arberise nuk i mungojnë burrat, po ju pëlqeu ta prisni nga dora e ime, ndonëse vonë, se kështu ndofta desh vet i madhi Zot. Se është me të vërtetë çudi që trima kryelartë si ju, të rritur në liri, duruat kaq kohë robërin e barbarve, duke pritur të më shikoni një ditë në krye tuaj.

Po vallë, a e meritonj këtë titull të bukur të çlironjësit që kini mirësinë të më jipni?

Lirinë s‘jua solla unë, po e gjeta këtu, në mes tuaj. Posa shkela këmbën këtu, posa dëgjuat emrin, renttë që të gjithë, më dualtë përpara kush e kush më shpejtë, sikur t‘ishin ngritur nga varret atërit, vëllezërit, bijtë tuaj, sikur të kishte zbritë nga qielli vetë Perëndia. Më prittë me aq dashuri dhe gëzim, më sualltë aq shërbime të çmuara e pa numër, sa më bëtë më tepër ju robin tuaj sesa unë të lirë ju.


Këtë mbretëri, këtë qytet nuk jua dhashë unë. Armet nuk jua dhashe une, po ju gjeta t‘armatosur. Lirinë e kishit kudo, në krahërore, në ballë, në shpata e në ushtat; si gardjan besnikë t‘emëruar prej tim eti, ju ma vutë mbi krye këtë kunorë, ju ma dhatë në dorë këtë shpatë, ju më bëtë zot të kësaj mbretërije, të cilën ma ruajtët me aq besë, me aqë kujdes, me aq mundime.

Shpjermëni tani, me ndihmën e perëndisë, që ta çlirojmë tërë Shqipërinë. Pjesën më të madhe, pothuaj tërë punën, e mbaruat: Kruja dhe tërë krahina e saj u fitua; Dibra dhe Malësitë u bashkuan me ne; anmikut s‘i mbeti as emëri, as shënjat në fushat tona; qëndrojnë vetëm fortesat. Kam shpresë t‘i marrim edhe këto me hir a me pahir, me dhelpëri a me trimëri, ndonëse garnizonet turke janë më të forta dhe kështjellat janë vendosur si shkëmbenj të ashpër dhe të paafruarshëm.

Armiku është i rrethuar, i dëshpëruar, dhe s‘i kanë mbetur veçse muret e fortesave. Po për këto do të këshillohemi e do të përfundojmë më nurë kur të vemi në vënt e kur të kemi armët në dorë dhe anmikun përpara, sesa tani për së largu dhe pa ditur se ç‘kemi përballë. Do të nisim nga Petrela më parë, jo se kjo është më e lehtë për t‘u fituar – përkundër është një fortesë prej natyre dhe ka një garnizon të fortë – po se ndodhet më afër kryeqytetit, dhe jam i sigurt që lajma e mirë e ngjarjeve në Krujë ua ka ngrirë gjakun armiqve. Të tmerruar nga trimërija e juaj dhe nga çkatërrimi i garnizonit të Krujës, ndofta do të na lëshojnë fortesën më të mirë; në mos, po do t‘i shtrëngojmë të na e japin me të keq. Një gjë vetëm duhet të keni nër mënt: në mos e marrshim Petrellën, asnjë nga ne s‘ duhet të kthehet prapë i gjallë.

Ngrehni pra flamurin përpara, dhe rrëfehuni burra si ngahera. Perëndia, si gjer tani, ashtu edhe paskëtaj, do të na ndilnmojë dhe do të na nxjerrë faqebardhë. O Burrani!”