Category Archives: Komplikimet

Toksoplazma


Çfarë është toksoplazma?

Toksoplazma është infeksion i shkaktuar nga paraziti njëqelizor toksoplazma, i cili më së shpeshti gjendet në zogj dhe brejtës, por mund të bartet edhe në kafshë tjera, si psh. mace. Pikërisht në këtë mënyrë bartet në njerëz, gjegjësisht me kontakt direkt me kafshën e infektuar apo përmes fekaljeve apo mishit të papërpunuar.

Si bartet toksoplazma?

Mënyrat kryesore të infektimit me toksoplazmë, ose bartjes së parazitit të toksoplazmës në njerëz janë:

• kontakti direkt me jashtëqitjen e maces së infektuar (gjatë punës në kopsht apo pastrimit të vendit të qëndrimit te maces)

• kontakti direkt me dhenë apo jashtëqitje dhensh

• konsumimi i mishit të papërpunuar apo zier pamjaftueshëm të kafshës së infektuar (sidomos mishi i qengjit, mishi i drerit dhe mishi i derrit)

• kontakti direkt me gjëra të ndryshme të cilat kanë qenë në kontakt me mishin e papërpunuar të kafshës së infektuar (sikurse thikat, dërrasa për prerje dhe të ngjashme)

• përmes transfuzionit me gjakun e infektuar

Cilat janë simptomet e infeksionit me toksoplazmë?

Fatkeqsisht, shpesh është e vështirë ta kuptoni nëse jeni të infektuar, sepse nuk egzistojnë simptome specifike, sidomos tek personat e rritur dhe të shëndetshëm. Simptomet të cilat lajmërohen janë të ngjashme me ato të ftohjes së lehtë:

• fyti i fryrë

• dhembje në muskuj

• temperaturë e lehtë

Simptomet mund të lajmërohen disa muaj pas infeksionit, ndërsa zakonisht zgjasin vetëm disa javë. Megjithatë, nëse njeherë infektoheni me parazitë të toksoplazmës, atëherë ai mbetet në trup dhe mund të aktivizohet pas disa muajsh apo vitesh.

Sa është e rrezikshme nëse infektohem me toksoplazmë gjatë shtatzanisë?

Toksoplazma mund të jetë e rrezikshme nëse infektoheni gjatë shtatzanisë, por fatmirësisht, është e rrallë dhe lajmërohet vetëm në 2 prej 1.000 shtatzanive. Megjithatë, nëse infeksioni paraqitet duhet të merret shumë seriozisht sepse mund të shkaktojë abort, lindje të parakohshme apo lindjen e foshnjes së vdekur.

Cilat janë pasojat e toksoplazmës për foshnjen?

Në shtatzani, parazititi i toksoplazmës së nënës mund të bartet tek fryti, ndërsa fëmijët e infektuar mund të kenë probleme shëndetësore serioze. Duke u nisur nga fakti që toksoplazma kalon në qarkullimin e gjakut të frytit tek pas javës së 16 të shtatzanisë, mungon zhvillimi i anomalive të rënda të fetusit. Megjithatë, rreth 10 % të fëmijëve të infektuar shfaqin shenja sëmundjeje gjatë lindjes.

 

Simptomet e toksoplazmës tek të posalindurit janë:

• infeksioni i syve

• verdhëza

• pezmatim i mushkërive

• iritimi i lëkurës

• retardim mental

• dëmtim i sistemit nervor

Por 90 % e fëmijëve të infektuar gjatë shtatzanisë nuk do të shfaqin kurfarë simptomesh gjer në moshë më të rritur. Simptomet atëherë mund të jenë infeksionet e syve, verbimi, shurdhërimi apo vështirësi në të mësuar.

Si ta kuptoj nëse kam toksoplazmë?

Nëse dyshoni që keni toksoplazmë, mjeku juaj mund të ju udhëzojë të bëni analiza të gjakut për toksoplazmë, përmes së cilave do të vërtetoni nëse jeni të infektuar apo jo. Mvarësisht prej rezultateve, do të ju përshkruhet terapia adekuate.

Si mjekohet toksoplazma?

Shumicës së njerëzve të rritur të infektuar me toksoplazmë nuk iu nevojitet terapia. Por, shtatzënave iu rekomandohet terapia që të parandalohet sëmundja e foshnjes. Me ndihmën e ultrazërit, mjeku mund të vërtetojë nëse fryti është i infektuar, ndërsa nëse rezulton se është atëherë do të merrni ilaçet të cilat parandalojnë që të përkeqsohet gjendja. Nëse rezulton negativ atëherë do të merrni antibiotikë, të cilët do të zvogëlojnë mundësinë e infeksionit për 50 %.

Si të mbrohem nga toksoplazma?

E rëndësishme është që gjatë shtatzanisë të merrni masa parandaluese kundër mundësisë së infektimit me toksoplazmë. Ja disa këshilla çfarë të bëni sidomos nëse keni mace:

• dërgoni macen në kontrollë tek veterinari me qëllim të hulumtimit për toksoplazmë

• macen mbani në shtëpi sepse macet shtëpiake të cilat hanë ushqim të blerë nuk mund të infektohen me toksoplazmë

• shmangni macet të cilat nuk jetojnë nëpër shtepia

• nëse keni mace, lusni dikë tjetër le t`ja pastrojë vendqëndrimin, apo nëse këtë duhet ta bëni ju, atëherë përdorni dorëza

• pastroni jashtëqitjen çdo ditë, sepse nevojiten 24 orë që paraziti të zhvillohet dhe të bëhet i infektueshëm

• mishin ziejeni gjatë, mos e hani në asnjë mënyrë të papërpunuar apo gjysmë të zier/fërguar

• pastroni mirë të gjitha mjetet të cilat kanë qenë në kontakt me mishin e papërpunuar

• shmangni çfarëdo kontakti me dhenë

• mbani dorëza nëse punoni në kopësht

Duhanpirja gjatë shtatzanisë

nderprerja_duhanit

Duhani gjatë shtatëzanisë shkakton efekte të dëmshme

Vajzat e reja që do të bëhën nëna të cilat e ndërprejnë duhanin herët gjatë shtatëzanisë mund ta reduktojnë në mënyrë të theksuar rrezikun nga lindja e parakohshme dhe nga lindja e foshnjave shumë të vogla, tregon studimi i ri i revistës ‘Obstetrics & Gynecology‘.

Rezultatet tona tregojnë se ato nëna të cilat e lënë duhanin mbrenda trimujorit të parë kane rrezik nga lindja e parakohshme apo nga SGA (small gestational age – baby) siç quhet në Gjuhën Angleze foshnja me madhësi të vogël dhe të pazhvilluar, në krahasim me ato nëna të cilat e kanë lënë duhanin që para shtatëzanisë, raportojnë Dr . Laura L. Polakowski dhe kolegët e saj nga Qendra Për Kontroll Dhe Preventive Kundër Sëmundjeve në Atlanta.

Pirja e duhanit gjatë shtatëzanisë shkakton efekte të shumta të dëmshme siç janë lindja para kohe dhe rritja dhe zhvillimi i kufizuar shkruajnë mes të tjerash Polakowski dhe koleget e saj në studimet e tyre tejet profesionale. Për femrat më të vjetra, shtojnë ata, rreziqet e pirjes së duhanit mund të jenë edhe më të mëdha.

Statistika e Lindjes e SH.B.A. e Përmirsuar me 2003 përmban dhe informata se a ka konsumuar duhan apo jo nëna gjatë secilit tremujor të shtatëzanisë së saj, kështu që hulumtuesit e shqyrtuan se a kishte efekt ndërprerja e pirjes së duhanit në momentet e caktuara apo jo në lindjet e parregullta dhe jo të shëndosha tek femrat e rrezikuara. Analizat e tyre përfshin 915,441 lista të lindjeve për foshnjat e lindura nga viti 2005 në 11 shtete federale në të cilat ishte në fuqi Statistika e Përmirësuar e Lindjeve në SH.B.A.

Në mesin e nënave të cilat pinin duhan gjatë tërë shtatëzanisë së tyre, 10 % lindën para kohe por nuk patën foshnje me madhësi te vogël apo të pazhvilluar, 15 % lindën me kohë por me foshnja të vogla dhe të pazhvilluara, dhe 2 % lindën edhe para kohe edhe foshnja të vogla dhe të pazhvilluara. Gjersa për nënat të cilat e ndërprenë duhanin gjatë tremujorit të parë shifrat ishin 8%, 9%, dhe 1%, respektivisht.

Pasi qe hulumtuesit i rregulluan statistikat e moshës së nënave, lindjet e parakohshme të tjera, si dhe të dhëna të tjera më rëndësi, zbuluan se nënat të cilat e ndërprejnë duhanin gjatë tremujorit të parë, zvogelojne rrezikun e lindjes para kohe me foshnje normale për 31 %, lindjes me kohë por foshnjës së vogël për 55%, si dhe lindjes para kohe dhe të foshnjës së vogël për 53%.

Femrat të cilat e ndërprejnë duhanin në tremujorin e dytë poashtu e zvoglojnë rrezikun e lindjeve jonormale dhe parakohe por jo dhe në masë aq të madhe. Zvogëlimi i rrezikut me ndërprerje në tremujorin e parë ishte posaçërisht i theksuar tek femrat më të vjetra, posaçërisht tek ato mbi moshën 40 vjeç, zbuluan hulumtuesit.

‘Edhe pse shtatëzania është arsyeja më e shpeshtë pse ndërpritet duhani, ai ende mbetet dukuri e vështirë për tu ndërprerë’ shkruajnë Polakowski dhe kolegët e saj.

‘Stimulimi i shtuar për ta lënë mund të vijë edhe me më shumë fakte shtesë për dobitë e ndërprerjës së duhanit (pra rekomandohet nga mjekët) edhe gjatë kohëzgjatjes së shtatëzanisë.

Ënjtja e këmbëve gjatë shtatzanisë

enjtja_kembeve

Përse shkaktohet fryerjet e këmbëve gjatë shtatzanisë?

Nëse vëreni që këmbët e juaja janë fryer apo nëse njëra është më e fryer, kontaktoni mjekun tuaj

Fryerja ndodh nga mbledhja e lëngjeve, më saktësisht shkaku i rritjes së mitrës e cila bën shtypje në enët e gjakut të cilat bartin lëngjet nga nyjet dhe shputat. Mund të ndodh që konsumimi i pamjaftueshëm i proteinave shkakton mbajtjen e lëngjeve.

Poashtu, keni parasysh që gjatë verës, për shkak të temperaturave të larta, situata me ënjtjen e këmbëve zakonisht përkeqsohet.

Në cilën periudhë të shtatzanisë, shkaktohet ënjtja e këmbëve?

Tek 75 % e grave gjatë shtatzanisë, vie tek paraqitja e ënjtjes dhe zakonisht kjo është një paraqitje normale. Më së shpeshti lajmërohet nga fundi i shtatzanisë, në tremujorin e tretë, ndonjëherë edhe në të dytin, ndërsa zakonisht gratë ankohen që ënjtja është më e theksuar gjatë fundit të ditës.

Kur duhet të brengosem për paraqitjen e ënjtjes?

Kur ënjtja paraqitet papritmas apo në sasi ekstreme, sidomos nëse lajmërohet edhe në zonën e fytyrës dhe të duarve, gjithsesi lajmëroni mjekun tuaj, sepse mund të jetë shenjë e preeklampsisë apo problemeve serioze (me veshkët, enët e gjakut…).

Poashtu, mjekun duhet ta kontaktoni edhe nëse vëreni që njëra këmbë është më e ënjtur apo nëse ndjeni dhembje apo ndjesi shpimi gjilpërash në kofshë.

A mund të vazhdojë ënjtja edhe pas shtatzanisë?

Pas shtatzanisë, ënjtjet do të zhduken, menjëherë pasi nga organizmi eliminoni tepricën e lëngjeve. Në ditët e para të paslindjes është e shpeshtë paraqitja e urinimit dhe djersitjes së shtuar. Tek shumica e grave, shputat kthehen shpejt në gjendjen e mëparshme pas lindjes, megjithatë tek disa është e mundur që shputat rriten për gjysmë apo për një numër, por nuk duhet të brengoseni për këtë sepse është paraqitje normale.

Për çfarë duhet të kem kujdes gjatë blerjes së këpucëve?

Në rend të parë duhet të shmangni këpucët e ngushta dhe të parehatshme, si dhe taket e larta, sepse shumë lehtë mund të ktheni nyjën, por nuk duhet të vishni as këpucë shumë të rrafshëta, gjatësia ideale është 3-4 cm.

Më së miri është që të zgjedhni atlete të rehatshme dhe të përshtatshme të cilat mbrojnë nyjet, ndërsa gjatë verës papuçe me formë anatomike, klompe, apo papuçe me gishtërinj të mbyllur.

Poashtu, duhet të keni kujdes se çfarë çorape vishni. Shmnagni çorapet të cilat ju ngushtojnë sepse mund të ndalojnë qarkullimin.

A preferohet masazhimi i shputave?

Masazhimi i shputave në rastet me ënjtje jo vetëm që do të ju pëlqejë por edhe është shumë relaksues. Më së thjeshti lusni partnerin që të ju masazhojë këmbët dhe shputat, por këtë mund ta bëni edhe vet, duke masazhuar njëherë njërën shputën dhe më pas tjetrën.

A mund të parandalohet ënjtja?

Kundër ënjtjes preferohet çaji nga korianderi.

Nëse i përmbaheni disa këshillave me rëndësi mund të zvogëloni ënjtjen e këmbëve dhe shputave:

• Kurdo që të keni mundësi shtrihuni dhe ngritni këmbët, ndërsa nëse për një kohë të gjatë qëndroni në këmbë apo ulur (gjë që duhet shmangur sa më shumë që të jetë e mundur), shpesh bëni pauza duke u ngritur, në mënyrë që të inkurajoni qarkullimin.

• Shmangni mbathjet apo çorapet të cilat iu ngushtojnë.

• Kur uleni mos i kryqëzoni këmbët dhe shmangni veshjen e xhinseve apo pantallonave të ngushtë.

• Konsumoni sa më shumë lëngje, rreth 8 gota ujë në ditë, ushqehuni shëndetshëm dhe shmangni ushqimin me shumë kripë dhe erëza.

• Shmangni dushin me ujë shumë të nxehtë, ndërsa para se të flini do të ju pëlqejë që të lani këmbët me ujë të ftohtë.

• Ushtroni me masë rregullisht. Shëtitja dhe noti rekomandohen veçanërisht, si dhe ushtrimet në ujë.

• Çaji nga korienderit mund të ju ndihmojë në rastet e djersitjes apo ënjtjes. Dy gota ujë të vluar përzijini me dy lugë nga kjo bimë. Çajin e ftohur, duhet ta pini tre herë gjatë ditës.

• Gjatë verës, gjatë ditës pushoni kur jashtë bën shumë nxehtë, ndërsa mbrëmjeve mund të shëtiteni. Tek shumica e grave, ënjtjet zvogëlohen pas pushimit të natës apo pas disa orësh pushim gjatë ditës.

• Poashtu, duhet të shmangni ekspozimin direkt në diell, sepse nxehtësia ndikon në zgjerimin e enëve të gjakut, poashtu edhe në paraqitjen e ënjtjes.

Venat e zgjeruara në shtatzani (variçet)


Përse më janë zgjeruar venat në shtatzani?

Ju mbetet që të ushtroni rregullisht, të shmangi qëndrimin e gjatë në këmbë dhe kur uleni ngritni këmbët mbi nivelin e ijeve

Në shtatzani, mitra rritet dhe bën shtypje në enët e gjakut të legenit, gjë që shpie në rritjen e shtypjes në venat e këmbëve dhe kështu mund të shkaktojë zgjerimin e tyre. Nëse edhe më parë e keni patur të njejtin problem me venat e zgjeruara në shtatzani, për këto arsye, gjendja momentale mund të ju përkeqsohet.

Edhe sasia e rritur e progesteronit, njërit nga hormonet më të rëndësishme të shtatzanisë, shpie gjer tek relaksimi i muskujve dhe njëkohësisht parandalon zhvillimin e kontraktimeve, duke kontribuar kështu në krijimin më të lehtë të venave të zgjeruara në shtatzani. Përveç këmbëve, venat e zgjeruara mund të paraqiten edhe në buzët e mëdha dhe vaginë. Ndonjëherë mund të ndjeni lodhje në ato zona, por jo domosdoshmërisht.

Kam vena të zgjeruara në nëngjunjë, a më duhet ndonjë terapi e veçantë dhe sa është kjo e rrezikshme?

Nëse i keni pasur venat e zgjeruara që para shtatzanisë, këtë gjithsesi duhet t`ia thoni mjekut tuaj, në mënyrë që ai të përcjellë dhe të shikojë nëse janë të nevojshme kontrollat shtesë tek kirurgu vaskularë, kontrollimi me ultrazë i enëve të gjakut apo ndonjë terapi tjetër.

Në shumicën e rasteve nuk ka nevojë për terapi shtesë, por vetëm se mjeku mund të ju udhëzojë që ti mbani veshur çorapet speciale të cilat janë të krijuara për vena të zgjeruara, gjegjësisht për shtatzëna. Ato janë të trasha dhe të forta, dhe nëse keni vena të zgjeruara, ato nuk do ti largojnë ato, por vetëm do të zvogëlojnë rrezikun nga përkeqsimi. I vetmi problem mund të jetë që janë të trasha dhe nuk janë shumë të përshtatshme në kohë të nxehtë. Por janë të dobishme!

Ju mbetet që të ushtroni rregullisht, të shmangi qëndrimin e gjatë në këmbë dhe kur uleni ngritni këmbët mbi nivelin e ijeve.

Egzistojnë edhe kremërat e veçanta për vena të zgjeruara, me bazë bimore, të cilat ndihmojnë në zvogëlimin e ndjenjës së plotësisë dhe peshës në këmbë, ndërsa për udhëzimin e tyre, konstaktoni mjekun tuaj.

A mund të jenë të rrezikshme venat e zgjeruara në shtatzani?

Zakonisht jo. Megjithatë, nëse lëkura nën vena është e skuqur, e ndjeshme dhe me dhembje, ndërsa venat bëhen të fryra, dhe ju keni temperaturë, si dhe dhembje në tërë këmbën – menjëherë lajmëroni mjekun. Simptomet e paraqitura mund të sinjalizojnë komplikimet e venave të zgjeruara – pezmatimi i tyre, kërkon terapi dhe shtrim në spital.