Author Archives:
Ushqyerja me gji dhe helmet e mjedisit

Prej disa vitesh po diskutohet në opinionin publik se edhe qumështi i nënës është i ndotur. Arsyet për këtë mbështeten në faktin se në mjedis janë të pranishme disa lëndë të prodhuara nga njeriu, të cilat shpërbëhen shumë ngadalë ose aspak. Më e njohura ndër këto lëndë është DDT. Këto lëndë helmuese arrijnë të depozitohen në dhjamin e njeriut, po ashtu edhe në atë të lehonës, e cila i nxjerr pastaj edhe me qumështin e gjirit.
Qumështi i nënës nuk i humbet cilësitë e veta, edhe pse këto lëndë janë të pranishme. Por, a ka ndonjë vend, ku të tilla lëndë mund të mos i gjejmë? Edhe toka, edhe deti, edhe ajri, edhe ushqimi që hamë çdo ditë mendohet se janë të ndotura nga këto helme. Janë të njohura përparësitë e qumështit të nënës.
Nga ana tjetër, nuk janë dokumentuar deri më sot veprime që lidhen me përmbajtjen në natyrë të këtyre lëndëve. Për këtë arsye na duket e tepruar bërja e analizës së qumështit për të vërtetuar cilësitë e këtij qumështi. Po të mendojmë se qumështi i lopës, nga i cili edhe prodhohet qumështi artificial është disa herë më i ndotur, edhe njëherë do të kishim një arsye më shumë për të mos i besuar analizave të qumështit të gjirit.
Më konkrete dhe më alarmante se çfarë thamë më sipër është ekspozimi i fëmijës ndaj helmeve të pranishme në mjedisin e punës së nënës, sidomos kur ajo punon në ndërmarrje që prodhojnë bojra, diluentë, lëndë kimike etj.
Lënia e punës në këto raste, do të ishte masa më e mirë parandaluese për të mos dëmtuar fëmijën.
Helmi – Burimi i mundshëm
• Plumbi – Fonderitë, bateritë, qeramikat, gazi që shkarkojnë makinat
• Metilmërkuri – Zinxhirët ushqimorë (peshku), bojrat e anijeve, bojrat e mureve (kundër mykut)
• Bromuri – Prodhimet e benzinës, industria e ilaçeve
• Halotani – Mjekësia
• Hekzaklorbenzenet, DDT – Insekticidët, antiparazitarët, pesticidet
• Ngjyruesit – Bojërat e shkrimit, vajrat lubrifikuese etj.
Këshilla rreth gjidhënjes në zona publike

Amësia është virtualisht e paplotë nëse mungon kënaqësia e praktikës rreth gjidhënjes. Secila nënë kënaqet nga kjo përvojë, pa dyshim. Ushqyerja me gji e fëmijës tuaj, është më e shëndetshme se sa ushqyerja me shishe. Shumica e nënave hezitojne ti ushqejnë fëmijët me gji në zona publike, sepse ndihen në siklet apo kanë turp. Dhe pikërisht për këtë, shumë nëna fillojnë ti ushqejnë me shishe fëmijët e tyre, gjë e cila nuk duhet bërë. Gjidhënja i jep fëmijës të gjithë ushqimin e nevojshëm për të.
Veshja gjithmonë bën një dallim, kur është fjala për nënat gjidhënëse. Duhet të sigurohen që janë veshur në mënyrë të duhur, që ushqyerja e fëmijës së tyre të jetë sa më e rehatshme dhe më e respektuar për të dy, në të njejtën kohë. Rehatia vie automatkisht, kur jepni gji në intimitetin e shtëpisë, por respekti rrezikohet nëse e bëni të njejtën gjë në zona publike, kur nuk jeni të veshura ashtu siç duhet për atë qëllim. Për këtë arsye, veshni një këmishë me pulla, me diçka për tu mbuluar përderisa ushqyeni foshnjen e vogël, në mënyrë që të ruani respektin tuaj edhe kur jeni në publik.
Pulloverët janë shumë komfortë, kur keni të bëni me gjidhënjen në zona publike. E tëra që ju nevojitet, është ti zbërtheni pullat dhe foshnja juaj do të ushqehet rehatshëm, duke mos iu ekspozuar juve në publik.
Në rast se keni nevojë për më shumë mbulim për të ushqyer foshnjen tuaj me gji në publik, mbani me vete ndonjë batanije që të mbani fëmijën më të qetë nën të. Mbuloni veten me batanije në çdo kohë qe ju duhet për të ushqyer foshnjën. Mos bëni panikë nëse përballeni me disa situata, kur e kuptoni që janë ca gjëra, pa të cilat nuk mundeni. Pra, qëndroni të mbuluara dhe jepni gji të lumtura.
Pregatitni veten mentalisht, që të jeni mjaft të mençura për t`u përballur me publikun, sepse tani keni përgjegjësi për të cilat duhet të kujdeseni. Mos u turpëroni apo pengoni nga shikuesit, të cilët mund të ju bëjnë të dobëta dhe negative. Pra, kuptoni që bota gjithmonë do të jetë në këtë mënyrë dhe ju duhet të ushqeni me gji fëmijën tuaj, qoftë në publik, qoftë në shtëpi, në kohën kur foshnja ka nevojë. Qëndroni të forta dhe mentalisht të organizuara, në mënyrë që të jeni në gjendje të përballoni situata të tilla.
Shikoni se mos gjeni ndonjë qoshe kur jeni në publik, në mënyrë që ju të mund të uleni të përballura me ndonjë mur, përderisa ushqeni fëmijën tuaj në intimitet. Edhe nëse ju duhet ta ushqeni fëmijën tuaj në të hapur në publik, ju lutemi mos bëni panikë. Në vend të panikës, mundohuni që të gjeni ndonjë zonë të sigurtë, më intime dhe komforte, dhe ndihmoni të vogëlit tuaj që të ushqehet. E tërë idea është që, të gjeni zgjidhje të cilat janë të mira për ju dhe shëndetin e foshnjes tuaj, sesa të gjeni zgjidhje në ushqimin me shishe.
Ruajtja e higjienës së trupit tuaj, gjatë ushqyerjes së fëmijës tuaj me gji, është e një rëndësie të madhe. Pastroni veten pas çdo gjidhënjeje, duke mbrojtur të vogëlin tuaj nga sëmundjet e ndryshme. Qëndroni të pastërta dhe mbani foshnjen tuaj të mbrojtur, fundi fundit, kjo është më e rëndësishmja.
Përveç kësaj, kjo është pjesa më e mirë e amësisë dhe në vend që ta urreni atë, duhet të bëni përpjekje për të shijuar këtë fazë. Jini të qeta dhe ndihmoni fëmijës tuaj që të ushqehet në mënyrë të duhur. Gjeni zgjidhje, në vend që të vendosni për metoda të lehta siç është ushqyerja me shishe. Hobet gjithashtu ndihmojnë në këtë drejtim, por duhet praktikë e shpeshtë në përdorimin e tyre për të arritur aftësinë.
Çfarë nëse nëna nuk mund të jep gji rregullisht?

Ndodh që nënat shumë shpejtë pas lindjes, e kanë të domosdoshme ti kthehen punës. Në situata të ngjashme, është e pamundur të ushqehet bebi rregullisht me gji. Çfarë duhet të bëjnë nënat, nëse ndodhen në situata të tilla?
Qumështi i nënës padiskutim që është më i miri për foshnjen. Siguron përparësi në rritje, zhvillim dhe shëndet të përgjithshëm përderisa dukshëm zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e ndryshme. Egzistojnë studime të cilat tregojnë që gjidhënja paraqet dobi edhe për shëndetin e nënës.
Organizata Botërore Shëndetsore thekson qartë se qumështi i nënës është metodë ideale për rritjen, zhvillimin dhe shëndetin optimal të fëmijës.
Pediatërit mbështesin gjidhënjes menjëherë pas lindjes. Nënat duhet të ndjehen komode dhe të relaksuara qoftë në shtëpi, në punë apo në park kur duhet të ushqejnë fëmijen e tyre me qumësht gjiri.
Shumë nëna brengosen se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të ushqyer rregullisht foshnjat e tyre me qumësht gjiri. Është shumë e rëndësishme të krijohet lidhja në mes të nënës dhe foshnjes, sidomos në ditët e sotme kur mungesa e pranisë së prindërve është shumë më e madhe.
Edhe pse mjekët do dëshironin që kur fillon procesi i gjidhënjes tek nëna, të vazhdojë gjer në fund, por kjo është e pamundur. Krahas fakteve të përparësisë së gjidhënjes, egzistojnë situata kur thjeshtë është e pamundur të ushqeni fëmijën tuaj me qumësht gjiri.
Vendimi i fundit është i nënës dhe përshtypjes së saj se çfarë është më e mira për familjen e saj. Dhe si përfundim çfarëdo që të vendos ajo, nuk duhet të ndjehet fajtore
Nëna që njëkohësisht punon dhe ushqen foshnjen me gji
A mund të vazhdon ushqyerjen me gji pas kthimit në punë?
Përdorni vatat për gjinjë për të mbrojtur rrobat nga njollat.
Po, mundeni. Nëse jetoni afër punës apo keni ndonjë kujdestare fëmijësh, ju mund të bëni pushime për të ushqyer foshnjen me gji. Nëse kjo nuk është e mundshme, atëherë keni dy zgjidhje:
Opcioni 1: Ju mund të mbledhni qumështin nga gjiu me anë të pompës së gjirit. Ruani qumështin e mbledhur dhe mund tia jepni kujdestares së fëmiut. (Nëse nuk keni qumësht të mjaftueshëm, plotësojeni me formulë.) Ju ende do të jeni të aftë për të ushqyer foshnjen me gji kur nuk jeni në punë.
Opcioni 2: Nëse ju nuk mund të pomponi qumështin nga gjiu apo nuk doni, ju mund të filloni të zëvendësoni gradualisht ushqimet ditore me formulë përderisa jeni në punë, ndërsa në shtëpi të vazhdoni të ushqeni me gji. Por mbani në mend që nëse nuk pomponi gjiun gjatë ditës, furnizimi me qumësht do të fillojë të iu pakësohet. Qumështi të cilin iu prodhon trupi mund të mos e kënaq foshnjen tuaj, madje nëse mjafton vetëm për ushqim në mëngjes dhe në mbrëmje.
Cilat janë përparësitë e pompimit gjatë punës?
Pompimi gjatë punës e stimulon prodhimin e qumështit, prandaj ju do të keni qumësht të mjaftueshëm gjatë gjidhënjes. Gjithashtu, ju mund të mbledhni qumështin duke pompuar, në këtë mënyrë foshnja do të ketë përparësitë e të ushqyerit e shëndetshëm me qumësht të gjiut edhe kur ju nuk jeni aty. Për më shumë, pompimi mund të jetë mënyrë e mrekullueshme që të ndiheni të lidhur me foshnjen tuaj edhe gjatë ditës.
Një nga gjërat më të mira nga pompimi gjatë punës është kthimi në shtëpi tek foshnja e cila dëshiron të ushqehet me gji. Ju do të strukeni me të menjëherë, re-vendosni lidhjen tuaj, dhe të filloni gjidhënjen në mënyrën më të mirë që mundeni.
Që të siguroheni që foshnja të kërkojë të ushqehet me gji kur ju të jeni kthyer në shtëpi, pyetni kujdestaren e foshnjes që të mos e ushqejë për një ore para se ju të ktheheni në shtëpi. Pastaj ju dhe foshnja juaj, mund të vendosni rilidhjen tuaj çdo ditë. Kjo gjë mund të jetë gjithashtu edhe e bezdisshme – dhe për të bërë një gjë të tillë në punë mund të ndjeheni çuditshëm- por shumë nëna e praktikojnë pompimin për të përfituar nga benefitet e tij.
Si mund ta menaxhoj pompimin në punë në mënyrë të suksesshme?
Ju nevojitet:
• Një pompë gjiri, preferohet të jetë automatike dhe të ketë mbledhje të dyfishuar që të mund të pomponi të dy gjinjtë njëkohësisht
• Shishet apo qeset për të vendosur qumështin në to
• Qasje në frigorifer apo në ftohës të vogël ku mund ta ruani qumështin të ftohur derisa të ktheheni në shtëpi. Shumica e pompave blehen së bashku me pakon e ftohësit.
• Vatat e gjinjëve për të mbrojtur rrobat po qe se rrjedhin
Mësohuni të pomponi në shtëpi para kthimit në punë, që të mësoheni me ndjenjën. Ju do të jeni me konfident gjatë pompimit në punë nëse tashmë e dini se si prodhohet qumështi mjaftueshëm që të mbushni shishen apo qesen. Poashtu, duhet të siguroheni që të keni një vend të fshehur në frigoriferin e punës për të ruajtur qumështin.
Idealisht, do të ju duhet një dhomë private në punë, ku mund të pomponi, ndonjë zyrë të papërdorshme apo ndonjë dhomë konference. Provoni të gjeni ndonjë zyrë e cila mund të kyçet që të mos frigoheni nëse ndokush iu sheh.
Furnizimi juaj me qumësht dallon nga dita në ditë. Për të shtuar rrjedhjen e qumështit, mundohuni të pomponi në të njejtën kohë dhe në të njejtin vend çdo ditë. Relaksohuni dhe shikoni fotografinë e foshnjes apo paraftyrojeni atë perderisa pomponi.
Armiqtë më të mëdhenj tuaj janë stresi dhe lodhja. Mbani në mend, ju jeni nënë e cila ushqen me gji, prandaj ushqehuni mire dhe pini sasi të konsiderueshme lëngjesh gjatë kohës në punë.
Sa shpesh duhet të pompoj?
Pompimi çdo 3-4 orë është ideal. Ky orar do të sigurojë që foshnja të merr tërë sasinë e qumështit që i nevojitet kur ju nuk jeni aty dhe ndihmon që të vazhdoni furnizimin me qumësht për të ushqyer foshnjen tuaj në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe gjatë fundjavëve.
Si ta vendos qumështin e gjiut në punë?
Pomponi dhe vendosni qumështin në gotë apo në ndonjë shishe të plastikës. Vërini etiketa shisheve me data, që të mund ti shfrytëzoni me rradhë, për ti shfrytëzuar më parë ato të parat. Vendosini në frigorifer apo ndonjë ftohës tjetër në zyrë.
Nëse e keni shtëpinë larg (më gjatë se 30 minuta udhëtim) atëherë qumështin mbajeni me ndonjë ftohës gjatë kthimit në shtëpi.
A do të duhej ti tregoj të tjerëve në punë që pompoj?
Çelësi i suksesit është përkrahja. Nëse dini për nëna të tjera të cilat poashtu pompojnë gjatë orarit të punës, është ide e mirë për të kërkuar inkurajim dhe këshilla nga ato. Përndryshe, mos i tregoni kolegëve të tjerë se çfarë bëni gjatë pauzave, nese kjo ju bën të ndiheni në siklet, por do të ju duhet ti tregoni udhëheqësit tuaj.
Udhëheqësi juaj i punës duhet të dijë që pompimi nuk ndikon në punën tuaj, prandaj mundohuni ti tregoni që angazhimi ndaj foshnjes tuaj në këtë mënyrë, vetëm sa ju qetëson kokën dhe koncentrimin për të punuar. Në fakt, mund të bëheni edhe më produktive gjatë kësaj kohe (nënat që punojnë zakonisht janë më produktive).
Si ti ndaloj gjinjtë të më rrjedhin gjatë orarit punës?
Gjatë javëve të para të kthimit në punë, gjinjtë tuaj do të jenë të mbushura gjatë kohës së ushqimit dhe mund të ju rrjedhin. Pompimi i rregullt – psh. gjatë pauzave të mëngjesit, drekës apo pasdites – do të ndihmoje që të parandalojë rrjedhjen. Përdorni vatat për gjinjë për të mbrojtur rrobat nga njollat.
Konsumimi i peshkut gjatë gjidhënjes
A mund të konsumoni peshk gjatë gjidhënjes?
Konsumimi peshkut gjatë gjidhënjes
Shumë nëna të cilat ushqejnë me gji brengosen lidhur me këtë gjë.
Edhe nëse ju nuk merakoseni për ushqim të detit, ju sigurisht keni ndëgjuar që peshku është burim kryesor i omega 3, acidit yndyror i cili është kritik për trurit e foshnjes dhe zhvillim të syrit. Është i varfër në yndyrëra të ngopura dhe i pasur me proteina, vitamina D dhe ushqyes të tjerë që janë krucial për shëndet të foshnjes.
Në anën tjetër, ju sigurisht keni ndëgjuar që disa lloje të peshkut përmbajnë ndotës siç është merkuri. Në doza të larta, ky metal është i dëmshëm për zhvillim të trurit të foshnjes dhe të sistemit nervor.
Për shkak që omega 3 bartet tek foshnja gjatë gjidhënjes, shumë ekspertë pajtohen që shumë me rëndësi është që nënat që ushqejne me gji të konsumojnë peshk. Por merkuri gjithashtu mund të bartet, prandaj duhet patur kujdes se cilin peshk dhe çfarë sasie konsumoni.
Më poshtë, ne kemi dhënë disa udhëzues që të ju ndihmojmë, që të limitoni ekspozimin tuaj ndaj merkurit dhe të merrni benefitet tjera ushqyese, ju dhe foshnja juaj.
Si përfundon merkuri mbrenda peshkut?
Merkuri është kudo, madje edhe në ajrin të cilin e thithim. Kur qëndron në ujë, bakteria konvertohet në formën e cila quhet metil merkuri. Peshku e absorbon metil merkurin nga uji ku noton dhe ku ushqehet. Metil merkuri lidhet fortë për proteinat në muskujt e peshkut dhe mbetet aty edhe pas zierjes së peshkut.
Gati të gjithë peshqit dhe guacat përmbajnë një sasi të merkurit, por peshku i madh grabitqar e akumulon shumicën. Sepse peshku grabitqar i hanë peshqit tjerë dhe e absorbon të tërë merkurin në vetvete dhe sa më i madh që është peshku grabitqar aq më shumë peshqi të tjerë hanë. Peshqit e mëdhenj jetojnë më gjatë se të vegjlit dhe për këtë është më e thjeshtë për merkurin që të depërtojë në trupin e tyre.
Çfarë mund të ndodh nëse konsumoni peshk që ka sasi të madhe të merkurit, gjatë gjidhënjes?
Trupi juaj e absorbon shumë lehtë metil merkurin nga peshku. Përderisa metali nuk depërton në qumështin e gjiun në sasi të mëdha, sasitë të cilat depërtojnë në qumësht absorbohen lehtë nga trupi i foshnjes gjatë gjidhënjes në kohën kur ajo është veçanërisht e ndjejshme ndaj efekteve.
Metal merkuri ndikon si neurotoksinë, që nënkupton që mund të ndikojë në tru dhe në sistemin nervor. Foshnjat (duke përfshirë edhe fetuset) dhe fëmijët e vegjël janë më të prekshem nga niveli i lartë i merkurit sepse truri dhe sistemi nervor i tyre është ende në zhvillim e sipër.
Ekspertët nuk pajtohen rreth asaj se sa është merkuri i dëmshëm saktësisht. Disa pohojnë që vetëm dozat e larta mund të jenë problem, pra sasia që është e vështirë të konsumohet me dietë normale. Të tjerët pohojnë që madje edhe sasitë e vogla të peshkut që përmbajnë nivel të lartë të merkurit mund të jenë të dëmshme për fëmijët e vegjël dhe për shtatëzënat apo nënat e reja që ushqejnë me gji.
Pse nuk ndalojme thjeshtë konsumimin e peshkut?
Peshku është ushqim shumë i mirë për të hequr dorë nga ai dhe shumë ekspert pajtohen që benefitet nga konsumimi i peshkut reduktojnë rrezikun.
Nuk është e nevojshme që të shmanget ekspozimi ndaj merkurit plotësisht. Egzistojnë sasi të vogla të cilat nuk janë të dëmshme. Nëse nëna e cila ushqen me gji ndalon të konsumojë peshkun për të shmangur merkurin, foshnja saj humb mundësinë për tu furnizuar me ushqime të shëndetshme.
Foshnjat që marrin omega 3 në mënyrë të mjaftueshme (përmes gjidhënjes apo nga formulat shtesë) kanë shikim dhe zhvillim të njohjes më të mirë se sa të tjerat.
Cili lloj ipeshkut ka nivelin më të lartë të merkurit?
Në vitin 2004, FDA-ja (U.S. Food and Drug Administration) dhe EPA lëshuan një komunikatë rreth kësaj çeshtjeje ku ata identifikojnë katër lloje të peshkut të cilat gratë dhe fëmijët nuk duhet ti konsumojnë sepse kanë nivel të lartë të merkurit: peshkaqeni, peshku shpatë, skumbri dhe peshku me kapelë.
Disa ekspertë dhe grupe avokatësh dëshirojnë të zgjerojnë këtë listë. Ata rekomandojnë që të evitohen poashtu edhe të gjitha llojet e peshkut tuna të freskët apo të ngrirë, levreku me shirita, peshku i kaltër, levreku i detit kilian, mburraveci i artë, marlini, dhe skumbri spanjoll nga Gulf-i i Meksikos.
Pra cilin lloj të peshkut mund ta konsumoni?
Grupe të ndryshme kanë opcione të ndryshme. Konsultantët e FDA/EPA thonë që është në rregull të konsumohen 2 servime gjatë javës të çfarëdo peshku apo guace përveç ato katër lloje të cilat nuk duhet konsumuar fare: peshkaqeni, peshku shpatë, skumbri dhe peshku me kapelë. (Shiko mëposhtë restrikcionet e veçanta të tunës së konzervuar). Ekspertët tjerë kanë një qasje më të kujdesshme.
Grupi Santerre në Purdue ka publikuar një fletushkë ku tregohet se ku ka më shumë peshk komercial me ndotës me shkallë të lartë të merkurit dhe cilat nga ato janë të sigurta për t`u konsumuar.
Kjo fletushkë bën me dije që gjashtë nga ato janë me nivel të ulët me merkur por janë me nivel të lartë me yndyrëra të shëndetshme: harenga, skumbri, trofta liqenit, salmoni, sardelet dhe peshku i bardhë.
NRDC-ja (The Natural Resources Defense Council) siguron një kartë reference të bazuar në të dhënat nga FDA-ja dhe EPA. Aty theksohet poashtu se cilët lloje të peshkut janë të rrezikuara apo janë zënë duke përdorur metoda destruktive ambientale.
Si qëndron puna me peshkun tuna të konservuar?
FDA-ja rekomandon që nënat që ushqejnë me gji të mos konsumojnë më shumë se 340 gramë të peshkut tuna të konservuar në javë dhe jo më shumë se 170 gramë të tunës së konservuar të bardhë (albacore) sepse kjo tunë vie nga peshku i madh i cili përmban më shumë merkur.
Në anën tjetër, disa grupe avokatësh rekomandojnë që gratë të cilat ushqejnë me gji t`i shmangen tunës së konservuar. Ja përse: Tuna ‘light’ në pergjithësi konsiderohet e varfër me merkur sepse përfitohet nga lodër kërcuesi, lloj i vogël i tunës. Por ndonjëherë tuna me krahë të verdhë, peshk më i madh, përdoret për tuna lajt, prandaj nuk mund të jeni të sigurtë se çfarë konsumoni përderisa kjo nuk iu spjegohet në etiketën e përbërësve.
Poashtu, tuna lajt nuk është burim i mirë i omega 3, ndërsa tuna e bardhë po, por që të dy llojet kanë shumë vlera ushqyese. Pra ia vlen që ti shtoni ndonjëherë në dietën tuaj, veçanërisht nëse është peshku i vetëm të cilin e konsumoni.
Çfarë bëhet me peshkun të cilin e zëmë vet ne ujërat lokale?
Mvaret nga uji, se sa është i sigurtë qoftë i liqenit, i lumit apo i zonës bregdetare. Do të ju duhet të siguroheni tek konsulentët lokalë. Ata do të ju tregojnë se cilit peshk do të ju duhet ti shmangeni në atë zonë. Nëse nuk gjeni konsulentë për peshkun që e keni zënë, EPA rekomandon që të limitoni konsumimin në 170 gram për javë dhe mos konsumoni asnjë lloj tjetër peshku po atë javë.
Ekspertët tjerë rekomandojnë që të mos e konsumoni peshkun nëse nuk mund ta përcaktoni nëse është i sigurtë apo jo.
Për udhëzime rreth sigurisë së peshkut mund të shikoni në linkun e uebfaqes së EPA.
Çfarë mund të hani tjetër përpos peshkut, që të përfitoni nga omega 3?
Burimet tjera të ushqimit për omega 3, përfshijnë farat e lirit dhe vajin nga farat e lirit, arrat, perimet me fletë të gjelbër të errët, fasulet e kuqe dhe laroshe, kungulli i dimrit, vaji kanola (canadian oil low acid – canola), brokoli, lulelakra dhe papaja.
Shumë ushqime janë të fortifikuara me omega 3. Kontrolloni etiketat e vezëve, qumështit, pijeve nga soja, lëngjeve, jogurtit, bukës, drithërave dhe margarinës.
Vetëdijesohuni, që, shumë ushqime që përmbajnë omega 3 (duke përfshirë edhe ato të cilat janë të fortifikuara) nuk përmbajnë tre acidet yndyrore: ALA, EPA dhe DHA. Të tre janë shumë të rëndësishëm për ju dhe foshnjen tuaj.
Peshku siguron burim të EPA dhe DHA, ndërsa ushqimet bimore sigurojnë ALA. Trupi juaj i konverton disa nga ALA në EPA por nuk është shumë i efektshëm në konvertim të DHA. Për këtë arsye, shumë ekspertë besojnë që të gjitha nga omega 3 mund ti fitoni nga ushqimi bimorë. Për ushqim të fortifikuar, duhet të lexoni etiketat me shumë kujdes për të përcaktuar cilën omega 3 e përmban dhe në çfarë sasie.
Çfarë mund të themi për vajin e peshkut si plotësues?
Për të mbuluar nevojat e juaja themelore, sidomos nëse nuk hani peshk, ju mund të zgjedhni nga plotësuesit e omega 3. Vaji i peshkut si plotësues iu siguron EPA dhe DHA që janë virtualisht të lirë nga metil merkuri. (Prodhuesit e plotësuesve përdorin peshkun që është më i varfër në zingjirin e ushqimeve dhe mund të destilojë vajin gjithashtu për të reduktuar ndotësit.)
Nëse jeni vegjetarian, ju mund të mbështeteni në ushqimet bimore që iu sigurojnë ALA për konvertim në EPA. Mund të merrni edhe derivate të algave si plotësuese që përdorin proces të veçantë të fermentimit për të siguruar DHA.
Çfarë sasie e acidit yndyror ju nevojitet? Instituti Mjekësisë, rekomandon për gratë që ushqejnë me gji marrjen e 1.300 mg të ALA në ditë. (Ata rekomandojnë 1.400 mg në ditë për gratë shtatëzëna.) Nuk e kanë caktuar nivelin e rekomanduar për EPA dhe DHA.
Por ju mund ta dini çdo herë se çfarë sasie keni marrë nga etiketa e plotësuesit. Prandaj konsultohuni me personelin mjekësor rreth llojeve të plotësuesve që janë të mundshëm dhe sasinë që është e përshtatshme për ju, duke u bazuar në dietën tuaj dhe plotësuesit tjerë që jeni duke i marrë. (Nëse jeni duke marrë vitamina prenatale, kontrolloni etiketën. Disa përmbajnë DHA.)
Si mund ta kuptoni nëse keni nivel të lartë të merkurit në trupin tuaj?
Egzistojnë testet të cilat mund të detektojnë nivelin e merkurit në gjakun tuaj apo në mostrën e fijes së flokut tuaj, por ato nuk janë të rekomanduara në mënyrë rutinore.
Nëse jeni të shqetësuar, konsultohuni me personelin mjekësorë rreth hapave më të mirë që duhen marrë për këtë gjë.
Gjidhënja dhe ilaçet

Eshtë e mundur që ilaçet që nëna merr gjatë kohës që ushqen me gji fëmijën, të kalojnë në qumësht dhe kështu pastaj tek vetë fëmija. Atëherë, para mjekut shtrohet një pyetje që, të themi të vërtetën shpesh herë na vë në një pozitë të vështirë.
Kjo sepse ilaçet mund:
• të pengojnë ose të nxisin prodhimin e qumështit
• të ndryshojnë përbërjen e qumështit
• të kalojnë në qumësht dhe të japin veprime të dëmshme ose helmuese për bebin
• Antitiroidienët
• Disa antihistaminikë (Benadryl)
Atëherë, sa herë që i këshillohet dhënia e një ilaçi nënës që ushqen me gji fëmijën e vet, duhet të merren parasysh këto gjëra:
• A është vërtet e domosdoshme dhënia e ilaçit?Do të ishte i dobishëm këshillimi i mjekut të gruas me atë të fëmijës.
• Të jepet ai ilaç për të cilin jemi të sigurt: për shembull të parapëlqehet Paracetamoli para Aspirinës.
• Të merret ilaçi në atë pjesë të ditës që është më pak i kalueshëm tek fëmija: për shembull nëna e merr ilaçin pasi i ka dhënë për të pirë fëmijës, ose/dhe në kohën që fëmija flen më gjatë, pra sa më larg kohës së vaktit tjetër. Kështu ilaçi jashtëqitet me rrugë të tjera (djersa, urina, tëmthi) dhe jo me anë të qumështit.
• Nëqoftëse dhënia e ilaçit është e domosdoshme për nënën, atëherë duhet të parashikohet edhe ndërprerja e ushqyerjes me gji përkohësisht dhe/ose përfundimisht, ose të kontrollohet sasia e ilaçit në gjakun e fëmijës (kur është e mundur).
Në përputhje me dijet tona dhe në varësi të dëmit që ato mund të shkaktojnë në organizmin e fëmijës, ilaçet ndahen në 3 kategori:
• Ilaçe për të cilat është vërtetuar, ose supozohet se mund të dëmtojnë fëmijën që ushqehet me gji
• Ilaçe për të cilat nuk jemi të sigurt për dëmin që mund të shkaktojnë, prandaj duhen dhënë me shumë kujdes (më mire të shmangen)
• Ilaçe që mund të jepen pa frikë, sepse nuk kalojnë në qumësht, ose dihet që nuk e dëmtojnë fëmijën
Një koment i shkurtër mbi disa ilaçe me përdorim të zakonshëm tek lehonat
Aspirina: zakonisht, e përdorur kundër dhimbjeve, ose temperatures së lartë (1 – 2 g, ose 2 – 4 kokrra në ditë), nuk ndikon mbi fëmijën. Por, nëqoftëse merret në doza më të larta, është helmuese për të voglin.
Ergotamina: bën pjesë në shumë ilaçe që përdoren për dhimbjen e kokës. Meqenëse mund të shkaktojë barkqitje e të vjella, si dhe çrregullime të qarkullimit të gjakut tek fëmija, prania e këtij bari në gjakun e fëmijës konsiderohet me rrezik.
Laksativët: janë disa ilaçe që përdoren mjaft shpesh nga lehonat për të luftuar kapsllëkun. Një pjesë e këtyre ilaçeve mund të thithen nga fëmija dhe të shkaktojnë tek ai dhimbje barku dhe bark. Sa here që lind nevoja e përdorimit të një ilaçi të tillë, është mirë të këshilloheni me një mjek, ose të përdorni laksativët natyralë, si kumbullat dhe bukën e zezë.
Hekuri: dhënia në venë e hekurit është pothuaj e rëndomtë në gratë pas lindjes. Hekuri mund të jetë përgjegjës për dhimbjet e barkut tek fëmija që ushqehet me gji. Pavarësisht këtij fakti, përdorimi i hekurit është shumë i rëndësishëm, prandaj edhe duhet të merret parasysh.
Antibiotikët: shumica e antibiotikëve janë të pajtueshëm me ushqyerjen me gji, sidomos Penicilina, Cefalosporinat, Aminoglukozidët etj. Ciprofloksacina, një antibiotik që po përdoret shumë këto kohët e fundit, duhet të shmanget gjatë kohës që nëna ushqen me gji fëmijën e vet.
Antitrombotikët: ndodh shpesh që pas lindjes, një grua të bëjë Flebit. Marrja në këtë rast e Heparinës është krejtësisht pa problem për të voglin.
Anestetikët: qëllon rrallë, por mund të ndodhë që nëna t`i nënshtrohet një operacioni. Atëherë, ndoshta duhet të vihet në gjumë me narkozë. Në një rast të tillë duhet të shtyhet vënia në gji e fëmijës, derisa bari të jetë eleminuar nga organizmi i gruas.
Në fund të këtij komenti do të dëshironim që të mbetej një mesazh:
Ushqyerja me gji, gjatë kohës që duhet të merren edhe ilaçet, nuk duhet të ndërpritet automatikisht (dhe pa sy kritik). Koha, kur çdo ilaç duhej të ndalohej, tashmë ka ndryshuar.
Ilaçet të cilat nuk duhet të merren gjatë ushqyerjes me gji
• Amiodaroni cordarone
• Indometacina
• Ergotamina
• Litiumi
• Antidepresivët frenues të MAO
• Drogat: heroina, morfi na, kokaina, amfetaminat, ilaçet që ulin oreksin
• Lëndët që përdoren në Radiologji
• Ilaçet kundër tumoreve
• Bromocriptina (Parlodel)
• Ciprofl oxacina
Ilaçet që duhet të përdoren me kujdes gjatë ushqyerjes me gji
• Pilulat
• Aspirina në doza të larta
• Laksativët me bazë cascara sagrada, sene, vaj recini etj
• Qetësuesit e SNQ: qetësuesit e mëdhenj dhe të vegjël (Valiumi), ilaçet kundër psikozave, etj
• Antiepileptikët: barbituratet (Luminali), Depakina etj
• Eufi lina, Teofi lina
• Vitamina D
• Ateneloli
• Flagyli, Negrami, Nitrofurantoina, Sulfamidët (Baktrina),
• Eritromicina, Kloramfenikoli, Antituberkularët, Augmentina
• Antikoagulantët (Sintrom)
• Diuretikët (Lasiks)
• Antiulcerozët (Tagamet, Ranitidinaetj)
• Desferali
• Vermoksi
• Deksametazoni, Betametazoni
• Disa antihistaminikë (Ataraks, Prometazinë etj)
• Cinarizina
Ilaçe të sigurta gjatë ushqyerjes me gji
• Aspirina me dozë të ulët, Paracetamoli
• Fenilbutazoni
• Klorokina
• Kripërat e arit
• Prednizoni
• Laksativët me laktulozë, vaji i parafi nës, vazelina
• Heparina, Kalciparina
• Digoksina
• Betabllokuesit (Propranolol)
• Captoprili, Enalaprili, Adalati, Dihidralazinat, Aldometi
• Kodeina
• Adrenalina
• Atropina
• Insulina
• Hormonet e tiroides (në doza të vogla)
• Propiltiouracili (antitiroidien)
• Mini-pilulat kontraceptive
• Sulfati i Bariumit
• Penicilina, Ampicilina, Amoksicilina, Cefalosporinat, Aminoglukozidet (Gentamicina, Kanamicina, etj), Tetraciklinat
• Zovirax-i
• Hekuri
• Acidi folik
• Karbamazepina (Tegretoli)
Si ju bën mirë ushqimi me gjinjë juve dhe foshnjës tuaj
Të mirat nga ushqimi me gji
Besojmë se e dini se të ushqyerit me gjinjë është ushqimi më i mirë për foshnjën tuaj, por a e keni ditur se dobitë nga të ushqyerit me gjinjë tejkalojnë kufitë e një ushqimi të thjeshtë dhe të shëndetshëm?
Si shtesë me përmbajtje të të gjitha vitamineve dhe përbërësave ushqyes për të cilat ka nevojë foshnja juaj në 6 muajt e parë, qumështi i gjinjëve është i mbushur me substanca të cilat i luftojnë semundjet dhe e mbrojnë foshnjën tuaj nga të sëmuarit. Prandaj Akademia e Pediatërve Amerikanë rekomandon të ushqyerit ekskluziv me qumësht të nënës në 6 muajt e parë. Dhe studimet shkencore kanë treguar se të ushqyerit me gjinjë është i dobishëm edhe për ju.
Këtu është lista e dobive më të rëndësishme që mund të keni ju dhe foshnja juaj nga të ushqyerit me gjinjë.
Ushqimi me gjinjë mbron foshnjën tuaj nga problemet e barkut, problemet me frymëmarrje, dhe infeksionet e veshit
Studime e shumëta nëpër të gjithë botën kanë treguar se diarrhea (shkuarja e barkut, sëmundjet e frymëmarrjes në pjesën e mushkërive dhe infeksionet e veshit, ndodhin me pak tek foshnjet e ushqyera me gjinjë, dhe janë më pak të rënda kur ndodhin.
Ushqimi ekskluziv (duke nënkuptuar pa ushqime të forta) për së paku 6 muaj, duket se ofron mbrojtjen në përqindjen më të madhe.
Hulumtuesit kanë zbuluar se faktorët imun të cilët gjenden në kulloshtër (qumështi i parë të cilin e prodhon trupi juaj) mbrojnë kundër mikrobeve në invadim duke formuar një shtresë mbrojtëse në mukozat e membranave në zorrët në hundën dhe fytin e tij. Faktori kryesor imun në veprim këtu është substanca e quajtur IgA (immunoglobulin A). Ai gjendet në sasi të mëdha në kulloshtër prandaj është aq me rëndësi që të filoni ta ushqeni me gjinjë foshnjën tuaj menjëherë pas lindjes por poashtu gjendet në sasi më të vogla në qumështin natyral.
Të ushqyerit me gjinjë poashtu mund të mbrojë foshnjën tuaj nga zhvillimi i kalljes së zorrëve më vonë gjatë jetës.
Ushqimi me gjinjë ndihmon foshnjën tuaj nga zhvillimi i alergjive
Disa studime kanë treguar se ushqimi me gjinjë për 6 muaj redukton mundësinë që foshnja juaj të zhvillojë alergji të frymëmarrjes apo alergji kundër ushqimit. Së paku një nga këto studime kanë treguar se kjo mbrojtje zgjatë thellë deri në adoleshencë. Një studim tjetër ka treguar se foshnjet e linduara para kohe nga familjet me histori të alergjive kanë rrezik më të vogël nga zhvillimi i eczema-s se moshatarët e tyre të ushqyer me shishe. Studimi i tretë ka treguar se të ushqyerit eksluziv me gjinjë për së paku 4 muajt e parë zvogëlon rrezikun nga astma diku rreth moshës 6 vjeç.
Shkencëtarët mendojnë se acidet e yndyrave dhe faktorët imun si IgA në qumështin e gjinjëve pengojnë reagimet alergjike duke ndaluar proteinat e huaj që të hyjnë në sistemin e foshnjës suaj.
(Proteinat në qumështin e lopës janë alergjenët kryesorë, gjë që është shkaktari kryesor se pse foshnjët e ushqyera me shishe kanë më shumë tendenca që të kenë reagime alergjike, se sa foshnjet e ushqyera me gjinjë).
Ushqimi me gjinjë mund ta rris intelegjencën e foshnjës tuaj
Disa studime kanë treguar se ka lidhje të mundëshme mes të ushqyerit me gjinjë dhe intelegjencës me të zhvilluar. Foshnjet e ushqyera për 6 muaj duket se kanë përfitimin më të madh. Ekspertët thonë se lidhja emocionale që ndodh gjatë të ushqyerit ndikon në rritje, por acidet e yndyrës mund të kenë ndikimin më të madh në zhvillimin e trurit të foshnjës tuaj.
Ushqimi me gjinjë mbron nga mbipesha më vonë gjatë jetës
Se a ka ndikim të ushqyerit me gjinjë apo jo në peshën e fëmiut tuaj më vonë gjatë jetës së tij, ka qenë temë e debateve për një kohë tejet të gjatë. Në Maj të 2005-s pas shqyrtimit të rreth 61 studimeve në lidhje me të ushqyerit e foshnjave dhe më vonë të mbipeshës, hulumtuesit konkluduan se të ushqyerit e hershëm me gjinjë redukton rrezikun nga mbipesha më vonë gjatë jetës por, theksojnë ata, duhen më shumë studime për të vërtetuar se sa i fortë është ku ndikim.
Ekspertët mendojnë se ushqimi me gjinjë ndikon në peshë më vonë për disa arsye: Foshnjat e ushqyera me gjinjë janë më të sukseshme në rregullimin e të ushqyerit të tyre, gjë që çon drejtë metodave dhe zakoneve më të shëndetshme të ushqyerit. Qumështi i gjirit ka më pak insulin se sa qumështi i shishes (insulina ndihmon në krijimin e yndyrës). Dhe foshnjet e ushqyera me gjinjë kanë më shumë hormone proteinike të quajtura leptin në sistemin e tyre, substancë e cila besojnë shkencëtarët luan rol në rregullimin e apetitit dhe të yndyrës. Poashtu në krahasim me foshnjat e ushqyera me gjinjë, foshnjat e ushqyera me shishe shtojnë më shumë peshë në javët e para të jetës. Ky shtim i peshës në javët e para është i lidhur me mbipeshën e trupit më vonë në jetë.
Ushqimi me gjinjë mund ta mbroj nga leukemia e fëmijëve foshnjën tuaj
Studimet kanë treguar se ushqimi me gjinjë mund të reduktojë rrezikun tek foshnja juaj nga zhvillimi i që të dy llojeve të leukemisë akute, asaj limfoblastike dhe asaj mileodike. Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se si qumështi i gjinjëve redukton rrezikun nga këto kancere të fëmijëve, por mendojnë se antitrupat që gjenden në qumësht mund ti japin sistemit imun një zhvillim dhe rritje. Hulumtimi rreth kësaj çështje është në zhvillim.
Ushqimi me gjinjë mund ta mbroj foshnjën tuaj nga zhvillimi i diabetit 1
Ushqimi me gjinjë për 6 muaj si duket zvogëlon rrezikun e foshnjës për të zhvilluar diabetin e tipit 1 të mvarur nga insulina. Në një studim foshnjat të cilat ishin të ushqyera për më pak se 3 muaj, dhe të cilat ishn ushqyer me qumësht të lopës para muajit të 4, kishin 1.5 shanse më shumë që ta zhvillonin sëmundjen. Nuk është ende e qartë se si qumështi i gjinjëve mbron nga kjo sëmundje, megjithëse studiuesit mendojnë se faktorët imun në qumësht mund të kenë ndikim.
Ushqimi me gjinjë mund ti mbroj foshnjat e lindura para kohe nga tensioni i lartë më vone gjatë jetës
Qumështi i gjinjëve si duket ofron mbrojtje të posaçme për foshnjet e lindura para kohe. Një studim tregoi se foshnjat me peshë tejet të vogël në lindje, të ushqyera me qumësht të gjinjëve kanë më pak infektime serioze të gjakut dhe meningitis nga ato të ushqyera me shishe. Një studim tjetër tregoi se foshnjat me peshë tejet të vogël në lindje, të ushqyera me qumësht të gjinjëve ka më pak gjasa të kenë tension të lartë në moshën e adoleshencës.
Ushqimi me gjinjë mund ta ul rrezikun ndaj foshnjës suaj nga SIDS
Nuk ka argument përfundimtar se ushqimi me gjinjë ul rrezikun ndaj foshnjës suaj nga SIDS (i cili do të thotë ‘sindromi i vdekjes së papritur të foshnjës’ ose në anglisht ‘sudden infant death syndrome’). Disa nga studimet kanë gjetur lidhshmëri me nivelet të ulta të SIDS, gjer sa të tjerat nuk kanë gjetur një gjë të tillë. Çfarë është e qartë është se ushqimi me gjinjë ndihmon në evitimin e infeksioneve të frymëmarrjes dhe ato të barkut dhe të zorrëve (infeksionet gastrointestinale) të cilat mund të jenë të lidhura me SIDS.
Ushqimi me gjinjë ndihmon që të humbni mbipeshën
Të ushqyerit e foshnjës tuaj mund të ju ndihmojë që të heqni kilogramët më shpejtë, posaçërisht gjatë vitit të parë. Kjo ështe për shkak se trupi juaj djeg kaloritë duke prodhuar qumështin e gjinjëve.
Ushqimi me gjinjë mund të ju ul nivelet e stresit dhe të zvogëlojë gjakderdhjen pas lindjes
Pasi që ushqimi me gjinjë shkakton çlirimin e hormonit Oxytocin në trupin tuaj ka gjasa që të jeni të relaksuar gjatë ushqimit me gjinjë. Studimet e shumta të bërë në njerëz dhe në kafshë kanë treguar se Oxytocin ndihmon dhe promovon të ushqyerit me gjinjë dhe relaksimin.
Një studim i tillë i bërë tregoi se femrat të cilat kanë sasi të mëdha tëOxytocinit në trup (50% të nënave të cilat ushqenin me gjinjë, dhe krahasim me 8% ndaj nënave të cilat ushqenin me shishe) kanë tension më të ulët të gjakut, kur janë pyetur për të folur për problemin e tyre stresues. Oxytocinpoashtu ndihmon që stomaku juaj përsëri te kthehet në madhësinë normale pas lindjes, duke rezultuar kështu në më pak gjakderdhje.
Ushqimi me gjinjë mund të ul rrezikun ndaj disa llojeve të kancerit
Studimet e shumta kanë treguar se sa më gjatë nënat i ushqejnë foshnjat e tyre me gjinjë aq më shumë janë të mbrojtura nga kanceri i gjirit dhe nga kanceri i mitrës. Në rastin e kancerit të gjirit efekti më i fortë mbrojtës është pas 1 viti. Nuk është krejtësisht e qartë se si ushqimi me gjinjë ndihmon në këtë rast, por ndryshimet strukturale ne indet muskulore te gjinjeve te shkaktuara nga te ushqyerit me gjinje dhe fakti se prodhimi i qumështit zvogëlon sasinë e estrogenit të cilën e prodhon trupi juaj mund të këtë ndikim. Hulumtuesit mendojnë se ndikimi në kancerin e mitrës poashtu është i lidhur me zvogëlimin e estrogenit në trup.
Ushqimi me gjinjë mund të mbroj nga osteoporoza më vonë në jetë
Ka argumente kundërshtuese për lidhjen mes ushqimit me gjinjë dhe densitetit të eshtrave. Eshtë e qartë se gratë të cilat prodhojnë qumësht humbin pak densitet të eshtrave kur fillojnë ta ushqejnë foshnjën e tyre me gjinjë, sipas të gjitha gjasave për shkak të mungesës së kalciumit apo sasisë së vogël të estrogenit, por këto mungesa janë të rikthyera gjatë apo pas mbarimit të ushqyerit me gjinjë. Dy studime kanë treguar se ushqimi me gjinjë në të vërtetë mund të përmirësojë densitetin e eshtrave në distancë të gjatë dhe se mund ta ul rrezikun nga thyerjet e gjurit në moshë të shkuar.
Dietë për një nënë të shëndetshme e cila ushqen me gji
Fokusohuni në të ngrënit e drithërave dhe farave të drithit
Plot gra pyeten se a duhet të ndjekin ndonjë dietë të posaçme gjer sa janë duke ushqyer me gjinjë. Lajmi i mirë është se si duket nuk duhet të bëni ndonjë ndryshim rrënjësor ndaj gjërave që hani dhe pini në këtë kohë, megjithëse ka ca gjëra me rëndësi të cilat duhet ti mbani në mend.
Një dietë e balancuar mirë është me rëndësi për shëndetin tuaj
Njëra nga mrekullitë e qumështit të gjirit është se mund ti plotësojë nevojat ushqimore të fëmijës tuaj edhe kur nuk jeni duke ngrënë si duhet. Por edhe pse foshnja juaj nuk do të vuaj nga ndonjë ushqim i pamjaftueshëm nga ana e juaj, nuk do të thotë se ju vetë nuk do të vuani nga ndonjë gjë. Marrja e mjaftueshme e vitaminave dhe materieve ushqyese është e rëndësishme sepse keni nevojë për energji për të plotësuar kërkesat fizike e kujdesit tuaj ndaj foshnjës së re.
Mendoni për përkujdesjen si një motivacion i vazhduar për të ndjekur një dietë të shëndetshme të cilën e mbanit gjatë shtatëzanisë. Fokusohuni në të ngrënit e drithërave dhe farave të drithit, pemë dhe perime të freskëta, dhe ushqime të cilat përmbajnë plot proteina, kalcium dhe hekur.
Të ngrënit mirë nuk do të thotë se duhet të hani shumë. Ekspertët deri me tani kanë rekomanduar se nënat që ushqenin me gjinjë të merrnin rreth 500 kalori shtesë në ditë, por studimet e fundit tregojnë se nuk ka nevojë për këtë rritje në kalori, thotë eksperti i të ushqyerit me gjinjë Kathleen Huggins, këshilluese në Qendrën e Foshnjës dhe autore e “Shoqëruesi i nënës në përkujdesje“. Nevojat e energjisë tek ju do të varen nga pesha momentale dhe për së shumti nga niveli i aktivitetit fizik – nuk ka ndonjë reçetë univerzale për të plotësuar nevojat e të gjithëve.
Të mbajturit dietë gjatë përkujdesjes është në rregull por shkoni ngadalë
Humbni peshë ngadalë (450 deri 900)duke kombinuar një dietë të shëndetshme, me yndyrë të ulët, dhe me ushtrime të kufizuara. Humbja e shpejtë e peshës mund të paraqet rrezik për foshnjën tuaj për shkak sepse liron toksinë normalisht të deponuara në yndyrën mbrenda trupit tuaj në qarkullimin e gjakut, duke rritur sasinë e këtyre kontaminuesve të cilët grumbullohen në qumështin tuaj. Nëqoftëse humbni më shumë se 900 gramë në javë, atëherë duhet të merrni kalori shtesë.
Nëqoftëse mendoni se duhet ta ndaloni të ushqyerit me gjinjë, mund të relaksoheni e sigurtë: Përkujdesja dhe të ushqyerit ndihmon që të hargjoni yndyrën e depozituar gjatë shtatëzanisë për të ju përgatitur për ushqimin e foshnjës. Prapëseprapë llogaritni së paku edhe në 10 muaj të tjerë gjer sa të ktheheni në peshën para shtatëzanisë. Dhe mos mendoni fare që të humbni peshë në 6 javët e para pasi që të ketë lindur foshnja juaj. Kufizimi i ushqimit tuaj në javët e hershme të ushqimit me qumësht gjiri, mund ta reduktojë qumështin tuaj.
Zvogëloni konsumimin e ca llojeve të peshkut
Në Mars të vitit 2004, Ministria e Ushqimit Dhe Medikamenteve dhe Agjensioni Për Mbrojtjen E Mjedisit nxori udhëzimet e reja për gratë të cilat janë duke u munduar të mbesin shtatëzënë, gratë të cilat veç janë shtatëzëna, nënat që ushqejnë me gjinjë, dhe fëmijët e vegjël se si mund ta limitojnë ekspozimin ndaj merkurit i cili gjendet tek peshqit.
Sipas udhëzimeve të Ministrisë dhe Agjensionit, duhet ta kufizoni veten në 360 gram të peshkut “Tuna“ të konzervuar dhe peshk tjetër të zier. Dhe duhet plotësisht të evitoni mishin e peshkaqenit, peshkun shpatë, makerelin dhe peshqi të tjerë. Disa ekspert me rigoroz rekomandojnë që të evitoni stek të tunës, makerelin spanjoll, dhe peshqi të tjerë sepse këta peshqi përmbajnë sasi të mëdha të merkurit.
Abstenoni nga alkoholi apo së paku merrni masa
Do të dëshironi ta ndaloni alkoholin gjer sa jeni duke ushqyer me gjinjë, sepse alkoholi depërton në qumështin e gjirit dhe ka mundësi që të ju dëmtojë apo të ju irritojë foshnjën tuaj. Përveç rreziqeve të tjera, konsumimi i vetëm një pije alkoholike mund ta ndalon aftësinë e organizmit tuaj për të prodhuar qumësht.
Nëqoftëse do të merni një pije alkoholike të rastësishme, atëherë pritni së paku 2 orë para se ta ushqeni foshnjën tuaj që alkoholi i konsumuar të tretet në mënyrë të duhur. Alkoholi nuk është i përqëndruar në gjinjë prandaj, “pompimi“ dhe “shtrydhja“ e gjinjëve nuk do ti shërbejë ndonjë gjëje. Për të shmangur dehidrimin, përkujdesuni që të merrni pije joalkoholike për çdo koktel që e konsumoni.
Pini shumë ujë që të jeni e hidruar si duhet
Kur ushqeni me gjinjë, ju humbni lëngjet e trupit. Edhe pse nuk do të ndikojë në qumështin tuaj, do të duhej që të pini së paku 240 ml. ujë apo lëngje të tjera në ditë që të jeni e hidruar. Rregull tjetër është që të pini kur të jeni e etur, që të pini sa herë që të keni nevojë. Evitoni kafeinën, e cila mund të ju dehidrojë.
Kini kujdes shijen e gjërave që hani dhe pini
Disa ushqime me erë të fortë mund të shkaktojnë që foshnja juaj të jetë e irrituar. Do të jeni në gjendje që të dalloni se a është e irrituar foshnja juaj nga ndonjë gjë që e keni ngrënë apo pirë. Ajo do ta tregojë mosrehatinë e saj duke u shqetësuar, duke qajtur parreshtur, apo duke fjetur tejet pak.
Nëqoftëse foshnja juaj është alergjike në ndonjë gjë që keni ngrënë, mund të shihni reaksionet në lëkurën e saj (të skuqurat apo të enjturat), në frymëmarrjen e saj (frymëmarrja e vështirësuar apo ngulfatja).
Edhe pse disa nëna thonë se ushqimet e djegësta i shqetësojnë foshnjet e tyre, të provuarit dhe dhe të pësuarit janë udhëzuesit tuaj më të mirë, sepse irritimi i shkaktuar nga ushqimi ndryshon nga foshnja në foshnjë.
Nëqoftëse e shihni se mund të hani salsa të djegëst, burrito, pulë të pjekur me hudhra, dhe gjëra të tjera, pa e bërë të irrituar foshnjën tuaj, atëherë vazhdoni dhe me tutje. Një vërejtje: Disa nga përbërësit e rrezikshëm janë brokoli, lakra dhe qumështi i lopës.
Kontrolloni nivelin tuaj të hekurit
Edhe në rast se keni marrrë vitamina shtesë gjatë shtatëzanisë tuaj, tani më nuk keni nevojë më pasi që ju ka lindur foshnja juaj. Sidoqoftë, plot mjekë këshillojnë që të vazhdohet me marrjen e vitaminave të para lindjes, të cilët kanë sasi ekstra të hekurit, dhe atë gjatë tërë kohës e të ushqyerit me gjinjë.
Ose, nëqoftëse testet e juaja të gjakut tregojnë se niveli i hekurit është i ulët, atëherë mjeku do të mund të ju përshkruaj medikament për hekur shtesë. Nëqoftëse vazhdoni me vitamina shtesë në përgjithësi, prapësëprapë mbani në mend se nuk mund të zëvendësojne të ushqyerit e dobët. Përpiquni që të hani një dietë të balansuar mirë, një dietë me ushqim të llojllojshëm.
Ushqimi gjatë periudhës së gjidhënjes
A duhet të ha më shumë gjatë gjidhënjes?

Nuk keni nevojë që të hani për dy vetë, si dhe gjatë shtatzanisë. Më e rëndësishme është që të hani ushqim të shumëllojshëm, të pasur me proteina, të hani shumë pemë dhe perime, dhe ti shmangeni ushqimit i cili ju trashë, dhe nuk ka vlera ushqimore. Është ide e gabuar që duhet të hahet shumë dhe që egzistojnë gjëra ushqimore të cilat rrisin sasinë e qumështit (birra, brumi i thartë…).
Çfarë lloj ushqimi duhet të konsumoj gjatë gjidhënjes?
Në ushqim duhet futur të gjitha llojet e ushqimit, me sasi të mjaftueshme të ushqimit të pasur me proteina, pemë dhe perime. Mundohuni të hani ushqim të shëndetshëm: bukën e bardhë zëvendësoni me të zezën, grickat zëvendësoni me pemë, ushqimin e yndyrshëm zvogëloni apo largojeni, por për këtë hani sa më shumë perime dhe ushqim me strukture fijore.
Në vend të lëngjeve të gazuara dhe artificiale, pini ujë, limonadë të ëmbëlsuar me mjaltë dhe lëngje të freskëta natyrale.
Largoni ushqimin i cili bën gazra (bizelja, pasuli, lakra), zvogëloni konsumimin e kafesë, çokolatës, piperit, specave pikantë dhe mëlmesave të tjera të forta sepse foshnja mund të ketë ngërçe nga këto gjëra ushqimore.
A duhet të marr shtesa vitaminash gjatë gjidhënjes?
Para së gjithash është e nevojshme që të ushqeheni në mënyrë të mjaftueshme dhe kualitative. Nëse konsumoni shumë pemë dhe perime, nuk është e nevojshme të merrni preparate vitaminash shtesë. Megjithatë, shtesat e vitaminave nuk do t`ju dëmtojnë, sidomos nëse keni qenë anemike gjatë shtatzanisë. Nëse dëshironi të pini preparate vitaminash, vazhdoni me ato të cilat i keni përdorur gjatë shtatzanisë, sepse ato kanë përbërje të balansuar mirë edhe për periudhën e gjidhënjes.
A duhet ti jap foshnjes vitamin D?
Po, udhëzimet e mjekut janë që foshnjes ti jepet vitamina D, sidomos në periudhën e dimrit. Me këtë vitaminë duhet filluar kur foshnja mbush 15 ditë. Flisni me mjekun i cili përcjell zhvillimin e foshnjes suaj dhe ai do të ju këshillojë për sasinë dhe llojin e preparatit të cilin duhet marrë.
Problemet gjatë gjidhënjes
Si të ushqej me gji, me faktin që i kam gjinjtë (majat e gjinjëve) e sëmurë?

Paraqitja e ragadeve apo plagëve në majë të gjinjëve shpesh haset tek nënat të cilat për herë të parë ushqejnë me gji. Shkaktarët janë të ndryshëm, megjithëse në vend të parë zakonisht është pozita joadekuate për gjidhënje (pozita nënës, marrëdhënja gji – gojë e foshnjes, mënyra e ndërprerjes së gjidhënjes), maja të gjinjëve të sheshta apo të futura mbrenda, gjinj të fryrë, pompa joadekuate për mbledhjen e qumështit dhe natyrisht infeksionet.
Së pari provoni që me këshillat e motrës medicinale të përmirësoni pozitën tuaj dhe të foshnjes gjatë gjidhënjes, nga shkaktarët e numëruar e gjer tek infeksioni. Nëse gjendja nuk përmirësohet, kërkoni këshillen e mjekut.
Para secilës gjidhënje dezinfektoni gjinjtë, dhe pas gjidhënjes lyeni me qumësht të freskët. Gjidhënja gjatë ditëve të para mund të jetë jo shumë e këndshme por pas kësaj periudhe bëhet rutinë.
Kam lindur para disa ditësh dhe tani po mundohem ta ushqej foshnjen me gji, por gjinjtë i kam shumë të fortë dhe me dhembje. Çfarë të bëj?
Pas lindjes, fillon sekrecioni i parë i qumështit nga gjinjtë, kulloshtra, i cili është shumë i pasur me proteina dhe yndyrë, ideal për gjidhënjen e parë për foshnjen tuaj. Sekrecioni i qumështit vazhdon dhe pastaj nga kulloshtra, fillon të prodhohet sasia e madhe e qumështit nga gjinjtë, dhe me gjidhënje apo me shprazjen, krijohet hapsira për sasitë e reja të qumështit. Nëse shprazja është e vështirë, vjen deri te galaktostaza, gjegjësisht te mbledhja e qumështit në gjinj, i cili mund të jetë i dhembshëm, gjinjtë janë të fortë dhe mund të paraqitet edhe ngritja e temperaturës.
Në këtë fazë nuk është e nevojshme terapia me antibiotikë, por është e nevojshme që ti shprazni gjinjtë plotësisht! Këtë mund ta bëni me dorë, mund t`ju tregojë ndonjë motër medicinale se si bëhet apo me ndihmën e pompave. Kjo përcillet me dhembje por është ndihmë e madhe në parandalimin e paraqitjes së infeksioneve, respektivisht mastisit.
Nëse paraqitet mastisi, duhet ti lajmëroni mjekut, për shkak të vërtetimit të shkallës së ndezjes apo intervenimit kirurgjik.
Nuk ushqej me gji. A do të më thahet qumështi?
Nëse nuk ushqeni me gji, për 10 ditë, gjinjtë do të fillojnë të zvogëlojnë sasinë e rrjedhjes së qumështit, gjersa ndalon fare. Gjatë kësaj periudhe, gjinjtë e juaja do të jenë të tensionuara, ndonjëherë të dhimbshme, por të gjitha këto të tejkalueshme.
Disa këshilla: Mos e teproni me konsumim të lëngjeve, përdorni gjyksore të forta ashtu që të shtrëngoni gjinjtë, mos i stimuloni majat e gjinjëve, sepse do të forconi prodhimin e qumështit, mos përdorni pompat për qumësht sepse japin efektin e njejtë, vendosni peceta të ftohta në gjinj.










